Thaçi: Institucionet, në ditët e ardhshme

19/11/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i bindur në mbledhjen e qeverisë të mbajtur ditën e mërkurë se institucionet e reja të vendit do të ndërtohen në ditët e ardhshme.

“Kam besim të plot se do të ndërtohen si institucione të reja në ditët e ardhshme dhe duhet të kenë legjitimitet të fuqishëm qytetar dhe përfshirje gjithetnike. Gjithashtu kam besim të plotë se kjo është një axhendë që ndërlidhet edhe me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, por dhe me përgjegjësit e spektrit politik, të dëshmuar tradicionalisht për fuqizimin e institucioneve, për respektimin e tyre dhe për orientimin e euroatlantik”, deklaroi Thaçi.

Në mbledhjen e qeverisë, mes vendimeve të tjera u miratua edhe shtyrja e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit.

“Këshilli organizativ ka mbajtur disa takime të rregullta dhe në takimin e fundit ka vendosur që t’i propozojë qeverisë dhe kryeministrit që ta ndryshojë datën e rivarrimit, e cila ishe caktuar më 28 nëntor. Mendojmë se datë më e përshtatshme për rivarrimin e eshtrave të heroit kombëtar është 16 janari i vitit të ardhshëm, që është dhe 99-vjetori i tij”, deklaroi ministri i FSK-së, Agim Çeku.

Gjatë kësaj mbledhjeje,  zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri sqaroi edhe njëherë se kalimi tranzit nëpër pikat kufitare në Serbi, sipas marreveshjes më të fundit, bëhet vetëm me dokumentet e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës mori gjithashtu vendimin për t’i akorduar 350 mijë euro Universitettit të  Prishtinës. Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj informoi mbi ecurine e procesit të privatizimit të pikës turistike të Brezovicës, ku konsorciumi franko-andorian-kosovar do të investojë 410 milionë euro.

Ai tha se gjatë ditëve në vazhdim do të fillojnë proçedurat që të marrin pëlqimin edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik për këtë projekt.

Top Channel