Meucci: EULEX meriton ende besimin e qytetarëve

19/11/2014 00:00

Shefi i EULEX-it në Kosovë Gabriele Meucci ka kërkuar nga kosovarët që
të kenë edhe më tej besim në misionin evropian të sundimit të ligjit në
Kosovë.

Përmes një editoriali të shpërndarë për mediat me postë elektronike, ai ka shpjeguar arsyet se pse EULEX-i meriton ende besimin e qytetarëve të Kosovës, edhe pas aferave të brendshme korruptive që janë zbuluar brenda këtij misioni.

Meuci ka thënë se i kanë marrë seriozisht pohimet për korrupsion të disa prej pjesëtarëve të EULEX-it, ndërsa ka konfirmuar se muaj më parë EULEX kishte formuar një task forcë që po hetonte pohimet për korrupsion brenda misionit.

“Të jeni të sigurt që kur të përfundojnë hetimet, EULEX-i nuk do t’iu bëjë bisht obligimeve të tij për të ndjekur çfarëdo veprimesh gjyqësore, të cilat përcaktohen nga hetimet si të përshtatshme dhe të domosdoshme. Të gjitha gjërat që i presim nga të tjerët, i zbatojmë edhe për vete”, ka shkruar Meuci në editorialin e tij.

Shefi i ri i EULEX-it ka treguar se prej instalimit të EULEX-it në Kosovë, ky mision kishte për qëllim ta mbështesë Kosovën në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për sundimin e ligjit, dhe për arritjen e këtyre objektivave, sipas tij, prej fillimit të misionit e deri tani afërsisht 10 mijë ekspertë kanë punuar në EULEX.

“Unë nuk toleroj aktivitet kriminal në mesin e EULEX-it, pavarësisht nga pozita apo nacionaliteti, por po ashtu nuk do ta shpërfilli prezumimin e pafajësisë dhe detyrën për t’i mbrojtur njerëzit e pafajshëm nga pohimet që mund të çojnë tek një qasje më e dobët ndaj korrupsionit jashtë EULEX-it”, ka shkruar Meuci.

Top Channel