Sundimi i ligjit, Jacobson: Ende shumë punë

18/11/2014 00:00

Ngritja e sundimit  të ligjit dhe një sistemi të efektshëm, në të cilin
qytetarët kanë besim, është shumë i rëndësishëm, për të gjithë qytetarët
e Kosovës, si dhe për integrimin në Evropë.

Kështu pohoi ambasadorja e ShBA-ve, Tracey Ann Jacobson, në tryezën nga fushata  “Drejtësia dhe Qytetarët” me temën “Drejtësi e Qasshme”.

Ambasadorja Jacobson tha se është arritur shumë, por mbetet edhe shumë për t’u bërë.

“E kuptoj se është arritur shumë përparim gjatë viteve të fundit dhe e kam kuptuar se inspektorati policor i Kosovës, tani  ua mundëson qytetarëve, që të paraqesin ankesa në gjashtë mënyra. Megjithatë mendojë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë. Është diçka tjetër mundësia për të parashtruar ankesë, por është diçka tjetër të kuptuarit e procesit, se ku do të shkoj ajo ankesë dhe ende nuk kemi arritur deri në atë pikë dhe shpresoj që të gjithë sot, do të flisni për atë çështje. Është po ashtu me rëndësi, që të gjitha ato organe të cilat kanë përgjegjësi, për të dhënë llogari, do të punojnë pa presion, do t’i marrin detyrat me përgjegjësi dhe me efikasitet të paanshëm”, tha ambasadorja.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, tha se Gjyqësori i Kosovës, duhet të perceptohet si i drejtë, i paanshëm, i pavarur dhe si institucion publik.

“Konsideroj që gjyqësori synon të fitoj besimin e publikut, duke rritur vetëdijesimin e publikut, për rolin që luan si gjyqësor i pavarur, i paanshëm dhe transparent, duke siguruar drejtësi dhe qasje të barabartë dhe të lehtë në shërbimet e gjykatave, për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është bërë, jemi në rrugë të mirë. Mirëpo ashtu siç tha dhe ambasadorja kemi dhe shumë për të bërë”, tha Peci.

Peci më tej theksoi se qytetarët tani kanë rrugë të ankimimit dhe drejtimit të ankesave të tyre, në zyrën e prokurorit disiplinor, mirëpo duhet punuar në drejtim të krijimit të mekanizmave dhe forcimit të kësaj zyre, por dhe të mekanizmave të komisionit disiplinor, që veprojnë në kuadër të Këshillit gjyqësor.

Sa i përket rasteve të grumbulluara nëpër gjykata, Enver Peci tha se ato tashmë anë adresuar. Ndërsa kërkesa më e madhe e qytetarëve mbetet që gjyqësori të jetë efikas.

Top Channel