Emigrantët “sfidojnë” shtetin

17/11/2014 00:00

Aksi kombëtar Poliçan-Çorovodë merr përpjetë shtigjeve, që duket sikur s’të çojnë kurrkund. Pas saj ka banorë, edhe pse duket e pamundur që të jetojnë në këto kushte të vështira, që ofron lidhja me rrugën kryesore. Janë vetëm 3 kilometra, por që duken disa herë kaq.

Rrotullimet e shumta të nxjerrin lartë, balltazi Tomorrit hijerëndë, që qëndron si dëshmitar i heshtur i problemeve të këtij komuniteti.

“Natyra e ka bërë të sajën, duke i dhënë gjithçka për të qenë një zonë turistike. Por, ndryshe nga ajo, politika nuk i ka dhënë as elementët më minimalë për të jetuar banorëve të fshatit Zgërbonjë, të Komunës Vërtop të Beratit. Një fshat, dy realitete”.

Fshati ka mëse 150 banorë edhe pse, të japësh një shifër të saktë mbetet e vështirë, si pasojë e popullsisë gjithmonë në lëvizje. Poliçani, që duket ngjitur me sy të lirë, sa afër është me kilometra po aq larg qëndron si pasojë e rrugës, që banorët duhet ta përshkojnë për orë të tëra.

Marini: 45 minuta në këmbë, pastaj nga Pronoviku me autobus dhe… Sa iu shkon e gjithë kjo rrugë deri në Poliçan?

“Meqë do kthehemi prapë, vete 4 deri në 5 orë. Deri në Poliçanin që është ngjitur, të mbarosh punë do 4-5 orë, sepse je në këmbë”, thotë Ardian Hoxha.

Pa mundësi për zhvillimin e bujqësisë, si pasojë e mungesës së tokave por edhe të ujit, banorët më së shumti përpiqen të mbahen me blegtori. Më e lehtë për t’u thënë, se sa për t’u bërë.

“Mundohemi por nuk ecën. Ja kemi qingjat pa shitur, nuk ka treg. Puno kot, se nuk vijnë, nuk iu intereson të vijnë këtu ata, të faturojnë makinat për të blerë mallin këtu”, thotë Shpresa Hoxha.

“Kryesore janë uji i pijshëm edhe xhadeja. Po u bënë këto, bën si bën populli”, shprehet Arif Hasanaj.

Nga një krah mungesa e tregut, nga tjetri sëmundja e “gjuhës blu”, kanë shkaktuar mjaft dëme te blegtoria. E sikur të mos mjaftonte kjo, banorët duhet të presin apo shpresojnë, që hëna e mirë të qëndrojë mbi veterinerët.

“Çfarë të bëjmë, nuk vjen njeri. S’pyet kush për këto gjëra. Për bagëtitë hiç, e mora veterinerin në telefon, s’erdhi. Më tha prit tani, prit pastaj, prit nesër dhe nuk vjen”.

Ata të tregojnë se si, pak kohë më parë, një djalosh 11-vjeçar të diagnostikuar me tumor në kokë u detyruan ta zbrisnin me kafshë deri në një fshat pranë, e më pas ta nisnin me autobus në Tiranë. Pas një operacioni të vështirë, djalit i duhej në rikthim të kalonte përmes të njëjtit itinerar. Nga Tirana në Poliçan me autobus, e më pas të afërmit, edhe pse në vështirësi të shumta financiare, u detyruan të pajtonin një makinë me pagesë deri në fshat.

“Që nga Tirana deri në Poliçan ka ardhur me autobus. Nga Poliçani deri këtu faturoi vëllai një makinë, se s’mund të vinte tjetër, këtu nuk kishim. Faturuam një makinë në Poliçan që e sollëm këtu dhe 1500 lekë i pagoi vëllai im”, thotë Rexhep Bregasi.

Shtëpitë e vjetra, dikund të rrënuara, lënë pas shijen e hidhur të një komuniteti mikpritës, që deri më sot ka marrë vetëm premtime boshe nëpër fushata elektorale.

“Të rregullohen ca gjëra, jo kështu. Asgjë, është keq e më keq. Se mos na u bë mirë neve, që e kthyem në demokraci, po ja që ne s’na është bërë mirë. Ne nuk ndiejmë asnjë përmirësim këtu”, thotë Fatime Hoxha.

Për të kuptuar madhësinë e dikurshme të fshatit, në krahasim me të sotmen, mjafton të krahasosh numrin e nxënësve të shkollës 9-vjeçare.

“Kjo shkollë ka pasur 220 nxënës dhe 7 mësues. Sot ka vetëm 11 nxënës, si rezultat i braktisjes. Ka edhe të tjerë, që s’kanë kushte ekonomike ta vazhdojnë. Shumica punojnë me prindërit e tyre. Nuk e vazhdojnë dot shkollën e mesme, s’i kanë të ardhurat. Të vejë në Poliçan përditë ai do lekë, s’venë, shumica punojnë me prindërit”, tregon Namik Xhelilaj.

E megjithatë, si për të përthyer harresën e imponuar, një familje emigrantësh me origjinë nga ky fshat është rikthyer të investojë. Kanë vënë këtu ç’kanë mundur, me dëshirën e mirë për të rikthyer shpresën, sepse edhe ajo dukej e humbur.

“Jetova 17 vjet në emigracion. Erdha për të vizituar fshatin, kështu rastësisht, edhe e pashë në një gjendje tragjike, për të mos thënë fjalën më të rëndë: të vdekur. Duke u ndjerë kaq keq, mendova t’ia kthej jetën këtij fshati, këtyre njerëzve, prandaj edhe hodha të gjitha investimet e mia, të familjes sime, të fëmijëve tanë, në këtë fshat. Shpresoj që këtë mesazh ta ndjekin edhe emigrantë të tjerë”, shprehet Jeta Bregasi.

Ata kanë ndërtuar një muze të vogël, por shumë kuptimplotë, që flet për traditat dhe historinë e fshatit. Diku më tej, një multifaltore si për besimtarët e krishterë, ashtu edhe për ata bektashinj, që jetojnë në fshat. Kanë restauruar lapidarin, që qëndron diku në qendër, e që përkujton të rënët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare; i kanë dhuruar shkollës një tualet, që nxënësit të mos shkonin natyrës, por edhe një dhomë si infermieri. E megjithatë, në realitetin jo pak ironik shqiptar, ndodh edhe që infermieria e dhuruar të qëndrojë bosh, sepse nuk ka një mjek.

“Atë e di shëndetësia, se dimë neve. Kërkesën e kemi bërë, sigurisht, por nuk vjen njeri këtu. Ta shikojë njëherë. Po bëjnë 20 vjet, doktor s’ka këtu te ne, të vijë të bëjë një vizitë. Asnjëherë”, tha Baftjar Islami.

Zgërbonja ka dy faqe… E para është ajo e realitetit tërësisht të pamundur, ku duhet të jetojnë banorët, e që një familje emigrantësh me zemër të madhe është përpjekur ta ndryshojë; dhe e dyta ajo e politikës, që qëndron indiferente në pozicionin e saj. Një fshat, dy realitete, mes të cilëve banorët duhet të ngrejnë çdo ditë jetën e tyre…

Top Channel