Banesat sociale, tre herë më shumë aplikantë se përfitues

17/11/2014 00:00

Numri i aplikantëve për banesa sociale është rreth tri herë më i lartë
se ai i përfituesve të tyre. Përpos kësaj 1/3 e bashkive nuk kanë
informacion në lidhje me numrin e të pastrehëve në zonën e tyre. Në këto
përfundime ka arritur një studim i përgatitur nga programi i Kombeve të
Bashkuara në Shqipëri.

Përpos kësaj disa nga problemet që hasen në lidhje me strehimin në Shqipëri është edhe mungesa e fondeve nga qeveria qendrore për banesat sociale. Ndërsa theksohet se vendorët nuk kanë përvojë në ofrimin e shërbimit social dhe për më tepër nuk kanë kryer matjet në lidhje me këtë çështje.

Në studim kërkohet që të ketë një vëmendje më të madhe ndaj çështjes së strehimit në Shqipëri dhe të rregullohet sa më parë kuadri ligjor. “Gjetjet sugjerojnë se trajtimi i problemit të mungesës së strehimit në Shqipëri kërkon marrjen e disa masave njëkohësisht, si rishikim i kuadrit ligjor, zhvendosje e vëmendjes së programeve sociale të strehimit dhe financimeve te të varfrit. Gjithashtu duhen fuqizuar kapacitetet fiskale të njësive vendore”, thuhet në studimin e PNUD. Ka një numër të konsiderueshëm të pastrehësh, por që deri më tani janë lënë në harresë.

Në bazë të studimit theksohet se njësitë vendore u japin përparësi familjeve të mëdha dhe atyre me një prind. Pas tyre renditen personat me aftësi të kufizuara, apo edhe familjet me kryefamiljare femra. Ndërkohë, çiftet e reja renditen si më pak të pafavorizuarit, por përpos kësaj rezulton se ata janë edhe përfituesit më të mëdhenj. “Përqindjen më të lartë të përfituesve e ka grupi i çifteve të reja. 40 për qind e tyre që kanë aplikuar për një banesë sociale e kanë përfituar. Përqindje më e ulët e përfituesve i përket grupit të jetimëve, familjeve egjiptiane e rome. Edhe pse numri i familjeve egjiptiane që kanë përfituar strehim social është më i lartë se ai i romëve, përqindja e përfituesve është mjaft e ulët. Gjithashtu, një shtresë e diskriminuar në këtë aspekt janë edhe femrat kryefamiljare. Edhe pse ata përbëjnë numrin më të madh të aplikanteve, përqindja e përfitueseve është më e vogël se 20 për qind.

Ndërkohë vetëm 4.65 për qind e jetimëve kanë përfituar nga programet sociale të strehimit”, theksohet në studim. Ndërkohë që gjatë vitit 2015 Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka premtuar ndërtimin e 215 apartamenteve të reja për strehimin e shtresave vulnerabël të shoqërisë. Nga ana tjetër, skema e kredive për banesa sociale do të vazhdojë të mbetet e bllokuar të paktën deri në fund të këtij viti. Pavarësisht numrit të madh të apartamenteve që qëndrojnë bosh duket se situata do të vazhdojë të jetë e njëjtë. Ministria e Zhvillimit Urban nuk ka rënë në kompromis ende me shoqatën e ndërtuesve, pasi sipas ministrisë, çmimet e tyre janë të papërballueshme për shtetin.

Top Channel