Të ndihmosh vullnetarisht fëmijët jetimë

12/11/2014 00:00

Kam gjithë jetën që merrem me pikturë, por jam amatore. Jam autodidakte totalisht. Që nga muaji Maj vendosa të merrem “full-time” me pikturë. Kryesisht pikturoj kopshte, çerdhe dhe dhoma fëmijësh.

Jap mësim pikture dhe në kopshte. Ajo që iu intereson juve, është pjesa e pikturave “gratis” në Shtëpinë e Foshnjës. Ideja ishte imja dhe e mikeshës sime.

Në takimin e fundit po diskutonim për mrekullitë që fal Zoti, forcën për të përballuar problemet etj. Gjithashtu dhe mundësinë për të falur ndienja njerëzore. Ajo më sugjeroi të kontaktoj me Shtëpinë e Foshnjës në Sauk, për t’u ofruar pikturat e mia “gratis”.

Nuk më kishte shkuar në mend më parë dhe më pëlqeu shumë ideja. Unë fitoj mjaftueshëm në “fan page”-n tim me piktura. Nuk jam e pasur, e ndoshta nuk do jem kurrë. Ndaj vendosa të bëj 1 kopësht, çerdhe apo jetimore në muaj.

Nuk më kushton asgjë të fal diçka nga shpirti. Këto janë disa nga pikturat që bëra në Shtëpinë e Foshnjës, Sauk. Falë ndihmës së kushërirave të mia, Mirela Ngjela dhe Armenita Hasanbelli, që më ndihmuan kaq shumë në punën 3-ditore.

E dimë që ato foshnja kanë nevojë për shumë gjëra; dashuri, ngrohtësi… Por të paktën pikturat tona do u sjellin gëzim syve të tyre të bukur.

Top Channel