Rifillojnë specializimet e Mjekësisë

12/11/2014 00:00

Pas katër vitesh rifillojnë specializimet për ciklin e tretë të studimeve me kohë të plotë në Universitetin e Mjekësisë.

Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar 365 kutoa pranimi, nga të cilat 340 janë për kandidatët brenda territorit të vendit, 20 për kandidatët nga trojet shqiptare dhe 5 për transferime.

Në kuadër të reformës për arsimin e lartë është hartuar edhe një rregullorë e re sipas standardeve të Bashkimit Europian, e miratuar nga Ministria e Arsimit për akreditmin.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli thekson se kandidati që aplikon për të ndjekur studimet e specializuara në mjekësi do të kalojë në tre faza.

“Do kalojë në konkurrim dhe intervistim. Konkurrimi do jetë transparent sepse do zhvillohet në ambjentet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Do të jenë rreth 100 pyetje të zgjedhura nga një total prej 5 mijë, të përgatitura nga personeli akademik i fakultetit tonë. Ndërsa procesi i intervistimit do zhvillohet në bazë të departamenteve ku ata dëshirojnë të vazhdojnë”, deklaron Rakacolli.

Sipas dekanes Rakacolli, procesi i pranimit do të jetë transparent si asnjëherë tjetër, për t’i dhënë fund njëherë e mirë praktikave abuzive me specializimet në Fakultetin e Mjekësisë.

“Është menduar që të ndahet një përqindje e tillë e vlerësimit: 60-70 për qind nga konkursi, 20-30 për qind nga mesatarja dhe vetëm 10 për qind nga intervista. Pastaj, në bazë të pikavarazhit do të bëhet listimi i kandidatëve sipas meritës dhe i pari do zgjedhë degën që do, pastaj i dyti e kështu me radhë. Prandaj mendoj se në këto procese nuk do të ketë asnjë abuzim”, saktëson Rakacolli.

Dekania vlerëson punën intensive të një muaji të grupit të punës të ngritur nga Rektorati dhe dekanati i Mjekësisë, si dhe përkushtimin dhe vëmendjen e veçantë të dy ministrave, atij të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe asaj të Arsimit Lindita Nikolla, si dhe drejtoreshës së Arsimit të Lartë në ministri për hartimin e kësaj rregulloreje. Tarifa vjetore për studimet e specializuara është përcaktuar 115 mijë lekë.

Top Channel