Myftiu Tërnava pritet nga Papa Françesku

12/11/2014 00:00

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit të dialogut ndërfetar katoliko-mysliman që po zhvillohet në Vatikan, është pritur paraditen e së mërkurës, bashkë me pjesëmarrësit e tjerë, në një takim nga Papa Françesku.

Sipas një njoftimi për shtyp të Bashkësisë Islame të Kosovës, gjatë takimit Papa Françesku ka vlerësuar kontributin e përfaqësuesve të komuniteteve myslimane në ndërtimin e paqes, harmonisë, bashkëjetesës dhe tolerancës mes popujve dhe feve.

Ati i shenjtë e ka cilësuar si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e tyre në punimet e këtij forumi, që mban temën “Të punojmë së bashku për t’u shërbyer të tjerëve”.

Nga ana e tij, myftiu Naim Tërnava ka falenderuar Papën për kujdesin e tij personal dhe të Vatikanit kundrejt Kosovës, si dhe i ka shprehur mirënjohjen për nderin që i bëri kombit shqiptar me vizitën e tij në Shqipëri.

Me këtë rast, ai i ka dhuruar atit të shenjtë monografinë e xhamive të shkatërruara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Top Channel