Buxheti për Mirëqenien Sociale

11/11/2014 00:00

Ministria e Mirëqenies Sociale do të ketë 33 milionë dollarë më shumë për vitin 2015, krahasuar me një vit më parë. Fondi në total parashikohet të jetë rreth 760 milionë dollarë. Duke folur para deputetëve në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ministri Erion Veliaj shpjegoi prioritetet e Ministrisë për këtë vit.

“Janë katër përparësitë kryesore, që ne kemi në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2015. E para është kryerja e skemës sonë të mbrojtjes sociale. E dyta është zbatimi i skemës së re të pensioneve të miratuar gjatë këtij viti nga ky komision dhe ky Kuvend i nderuar. E treta është zhvillimi i sistemit të arsimit dhe formimit profesional, duke kaluar në sistemin dual. Dhe e katërta është ngritja e shërbimit kombëtar të rinisë dhe rishikimi i të gjithë politikave të mbështetjes ndaj të rinjve”, tha ministri Erion Veliaj.

Veliaj tha se fondi për aftësinë e kufizuar dhe ndihmën ekonomike është rritur me 10 milionë dollarë. Do të ngrihet një regjistër elektronik për personat me aftësi të kufizuara, si dhe do të rishikohet modeli i vlerësimit të paaftësisë.

Ndërsa rreth 15.6 miliardë lekë do të shkojnë për 169 mijë persona me aftësi të kufizuara për kujdestarinë e tyre. Fondi prej 4.3 miliardë lekë do të shkojë për 88 mijë familje, që përfitojnë ndihmë ekonomike, lista e të cilëve u pastrua duke hequr rreth 20 mijë familje, që përfitonin në mënyrë abuzive.

Deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, tërhoqi vëmendjen për fondin e parashikuar për biznesin fason, që nxit punësimin.

“Pikërisht pika 26 në paketën e biznesit fason, thoshte se 5 milionë dollarë në vitin 2015 do t’i kalojnë Ministrisë së Mirëqenies Sociale për nxitjen e biznesit fason dhe, përveç kësaj kjo nuk do të ishte përfshirë në programin e nxitjes së punësimit, por do të ishte një zë më vete. Në buxhetin e ardhur nga ka as shifër prej 5 milionë dollarësh, por nuk ka as zë më vete pikërisht për nxitjen e biznesit fason”, deklaroi deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.

“Në këtë moment, duke hartuar një VKM, e cila ashtu sikurse zoti Vasili kërkoi të përcaktohet edhe nominalisht fondi për biznesin fason, në 4,7 milionë dollarë, 2,5 prej tyre sipas ndarjes që ne i kemi bërë kërkesës në Ministrinë e Financave, janë ekskluzivisht për industrinë fasone. Por, sërish nuk do të përjashtoja se ashtu siç kemi bërë në vitin e fundit, ku edhe në fondin e përgjithshëm kemi qenë më shumë bujarë për këtë industri se sa për të tjerat, të vazhdojmë ta bëjmë edhe për këtë vit”, u shpreh ministri Veliaj.

Veliaj kërkoi mbështetjen edhe të deputetëve për të parë mundësinë e rritjes së fondit për biznesin fason, që nxit punësimin.

Top Channel