“Historia sigurisht nuk është e nuk mund të jetë pjesë e retorikave nacionaliste, sepse ajo vetë refuzon përmes fakteve rryma të tilla. Ajo synon të sjellë thjesht të vërtetat, sepse vetëm përmes tyre mund të ndërtohen marrëdhënie të forta e të sinqerta. Ky është qëllimi ynë, që historia të shërbejë si urë bashkëpunimi, e jo ndarjeje”.

Destinacioni ynë, sigurisht për atë pjesë të grupit ende të pashpallur “non grata” nga autoritetet e vendit fqinj, në Greqi, është qyteti i Pargës, një ndër më të bukurit e krahinës së Çamërisë dhe ndër më të frekuentuarit nga turistët në Greqinë e sotme. Ai ngrihet rreth 117 kilometra nga Saranda, pas një udhëtimi që përfshin natyrshëm një pjesë të vijës bregdetare të Çamërisë.

Qytete, fshatra, zona të tëra të Çamërisë, që më 1913-n në Konferencën e Londrës iu shkëputën trupit të Shqipërisë duke iu dhënë Greqisë, fshehin pas tyre tragjedi të pafundme. Edhe sot duket sikur u mungon zëri, edhe pse ai është sërish aty, i fshehur mes shtëpive të vjetra e të braktisura, të djegura e të rrënuara, që megjithatë ende qëndrojnë në këmbë si dëshmitarë të asaj kohe.

Plot 70 vjet më parë, Çamëria u godit nga një valë dhune, që i solli mijëra të vrarë kësaj toke; në pragjet e shtëpive, në fshatra, në rrugica, e kudo… Nëna, baballarë, gjyshër e fëmijë, që sot flejnë nën këtë tokë, flejnë pa pasur mundësinë as edhe të një varri. Të tjerë dhanë shpirt gjatë rrugëtimit për në Shqipëri, për t’i shpëtuar barbarisë ekstreme.

Gumenica, Margëlliçi, Paramithia, Filati, Preveza e shumë zona të tjera të lyera me jetë të pafajshme. Rrugëtimi  nuk është i lehtë, sepse Çamëria është thuajse një tokë e ndaluar, ku nuk duhet të filmosh, nuk duhet të fotografosh, nuk duhet të bësh asgjë, që çon përtej kësaj zone ato imazhe, që flasin ende për të shkuarën. Në këto toka, shpesh të mbeturit duhet të mohojnë vetveten.

“Nuk jam shqiptar. Pse pyet? Ky është një vend i mirë. Çam je? Sepse nuk i duam çamët këtu. Jo nuk i duam”.

Parga është një zonë me një histori të thellë e të hershme, që i dallohet jo pak anëve të qytetit, e që mund ta gjesh që në gravurat apo fotografitë e vjetra të autorëve të ndryshëm botërore. Qyteti kaloi përmes mjegullnajash të shumta drejtuese, që pasonin në varësi të pushtuesit, nga Venediku tek Osmanet, te plaçkitja që i bëri pirati Barbarosa, e kështu me radhë deri në 1819-n, kur Ali Pashë Tepelena e bleu qytetin nga anglezët. Fati  i mëvonshëm ishte si e gjithë krahina, në 1913-n iu bashkangjit – nga Konferenca e Londrës – Greqisë.

Në krahun e poshtëm buzë detit, bareve, hoteleve, rrugicave të tejmbushura me turistë, që vijnë këtu në çdo periudhë të vitit, mund të gjesh pafundësisht banorë, që ruajnë gjuhën shqipe. Mjafton të pyesësh për dhoma, për restorante, e përgjigjen do ta marrësh ashtu siç u vjen natyrshëm, në gjuhën e rrënjëve të tyre.

“Dy dhoma, dy krevate, banjo, televizor. Plot, plot me anglezë, me serbë, bullgarë, rumunë. Nga Korfuzi jam unë”, thotë pronari i një hoteli.

“Sa për paràtë, unë i thashë 30 atij, po për juve 25. Të dielën më the që do të vish, por të më thoje që nuk do vije më, që të mos e mbaj ashtu? Kanë ardhur shumë nga Tirana. I thashë dhe tani, që kishin ardhur dy vetë, dy ditë, edhe ikën sot, në këto dy dhoma”, thotë një grua te një tjetër hotel.

Ka banorë, që janë edhe më të guximshëm, duke pohuar të vërteta që dukeshin të humbura, të zhdukura, si pasojë e dhunës dhe spastrimit etnik.

“Të tërë shqiptarë janë. Dy, tre fshatra këtej, të tërë shqiptarë. Edhe Parga, të vjetrit dinë ca… shqiptarë. Ne të mëdhenjtë flasim shqip. Vetëm djemtë nuk flasin. I dijnë të tëra, por nuk flasin. Po ne pleqtë, ngado që vemë, shqip flasim. Nëna ime nuk dinte greqisht”, thotë një burrë në moshë.

Në krye dallohet kalaja, ajo kala që ruhet dukshëm në gjithçka që lidhet me identitetit e qytetit. E ndërtuar me hijëshi kah detit në shekullin e 11, ajo ka parë shumë nga betejat, në të cilat janë kredhur banorët. Ashtu siç ka parë edhe masakrat e 1944-s. Dëshmitë e të mbijetuarve flasin për shumë masakra të kryera në këto mure, për gjakun që ka rrahur e ka thyer hirtësinë e gurëve. Gra, fëmijë e të moshuar, plot 47 njerëz janë vrarë këtu.

Banorët të drejtojnë natyrshëm te njëri-tjetri. Në Pargë, numri i shqipfolësve është më i madh se në zona të tjera. Ky qytet duket si një Çamëri e vogël, sepse këtu mund të gjesh nga të gjithë anët e kësaj krahine, Preveza, Magëlliçi, Suli, Paramithia, fshatra e qytete që janë lidhur në këtë vend dukshëm pas njëri-tjetrit.

“Do shkosh në recepsion atje, e do i thuash që është i imi hoteli, më njohe ti mua? Sa vetë do jeni në dhomë atje? 1 dhomë? Ka, ka. Hajde atje dhe do e ‘kanonisim’ (rregullojmë). Është diku 40 euro. Merrni vesh? Hera e parë? S’ka vend më të mirë se këtu, hiç”, thotë një burrë në plazh.

Sigurisht, gabon kush mendon se ortodoksit e mbetur, që nuk patën fatin e çamëve muslimanë, jetuan një jetë të qetë. Edhe ata u përballën dhe vazhdojnë të përballen me një presion të vazhdueshëm, që filloi me detyrimin për të mos folur gjuhën e tyre, mbylljen e shkollave shqipe që në ’44-tën, braktisjen me detyrim të traditave e dokeve, këngëve e valleve çame të mbartura brez pas brezi, mosnjohjen e dhunshme si komunitet, moslejimin e publikimit të librave, gazetave apo qoftë edhe të fletëpalosjeve të thjeshta. Për grekët, çamët dhe çështja çame nuk ekzistojnë, ose më mirë nuk duhet të ekzistojnë. E pavarësisht kësaj, gjërat nuk kanë humbur tërësisht.

“Ai atje di shqip, por thotë nuk dimë ne…  Jo mirë si juve, po llafosim (flasim). I thoni më ndryshe ju. Që nga Durrësi në Prevezë; Igumenicë, Sarandë, Vlorë, është njësh ajo”, thotë një tjetër banor në plazh.

Ka shumë banorë të tjerë, që kanë frikë të flasin, e megjithatë mes atyre pak fjalëve identiteti ruhet, mjafton të jesh i kujdesshëm për ta prekur.

“Hotel?! Parga?! Nuk e njoh hotelin. Hotel (flet greqisht) nuk ka këtu. Nuk të kuptojmë. Hajde (thotë plaka tjetër dhe bën me kokë të largohemi)”, shprehen dy gra të moshuara…

Edhe në shumë zona të tjera në Çamëri shqipja ruhet, fshehtë, mbyllur tryezave apo syve e shpirtrave rrotullues të banorëve, mureve të shtëpive apo thellësive të kujtimeve, e megjithatë ruhet, pasohet, kalon me një fjalë, me një këngë, me një rrokje a shprehje të thjeshtë.

Të kërkosh të drejtat e këtij komuniteti nuk është të kërkosh diçka të padrejtë, nuk është të kërkosh hakmarrje, uturima, çirrje ekstremiste e nacionaliste ekstreme… Të kërkosh të drejtat është thjesht një formë europiane për të bashkëjetuar, për të qenë së bashku në të njëjtin rajon, në të njëjtën tokë, në të njëjtën pjesë të globit, që mund të donim të na mbante larg, por që duam apo s’duam na ka vulosur një fat të përbashkët, të të qenit komshinj.

“Historia është aty, e ajo duhet të shërbejë si urë lidhëse, jo ndarjeje, pasi gjurmët e saj nuk mund as të fshihen e as të mbulohen nga askush”.

Top Channel