Protestë për ujin e pijshëm

10/11/2014 00:00

Fshati Vakuf në komunën e Kastriotit të rrethit Peshkopi, po vuan të paktën prej dy javëve mungesën e ujit të pijshëm. Por, problematika e kësaj situate vijon prej vitesh.

Janë 200 familje të këtij fshati që po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm dhe se tashmë banorëve u duhet të shkojnë rreth 5 kilometra me makinë për të mbushur ujë.

“Ku nuk jemi ankuar”, thonë banorët, “por zgjidhje nuk kemi marrë.”

“Nuk e dimë se çfarë problemi ka”, shtojnë banorët.

Kryeplaku i këtij fshati, Dilaver Ciku, thotë se disa herë i është drejtuar komunës për të gjetur zgidhje: “Kryetari i komunës dhe ai i qarkut nuk më japin përgjigje dhe tani nuk po dimë kujt t’i drejtohemi për këtë problem. Vetëm kryeministri na ka mbetur.”

Në këtë fshat problematik është edhe rrjeti i kanalizimeve që kërcënon shëndetin e banorëve.

“Higjiena është për faqe të zezë dhe kemi shumë rrezik për të marrë infeksione”, thotë një infermiere.

Ky fshat ndodhet jo shumë larg qytetit të Peshkopisë, por shumë larg vëmendjes institucionale dhe kjo duket nga degradimi i shërbimeve jetike.

Top Channel