Bistrica, qyteza e harruar

10/11/2014 00:00

Bistrica, një prej qytezave të harruara industriale të socializmit, është sot pjesë e komunës Mesopotam, në Delvinë.

130 banorët e mbetur këtu po vuajnë prej vitesh pasojat e statusit preferencial dikur “qytezë”. Shumica e tyre janë të papunë megjithëse vite më parë hidrocentrali premtoi të punësojë të gjithë. Për shkak të statusit “qytezë industriale”, banorët nuk përfituan tokë.
 
Leonidha Kucuqi shprehet: “Me rënien e sistemit diktatorial shumë punëtorë u pushuan nga puna dhe në qytezën tonë tani nuk ka asnjë lloj të ardhmeje.”

Vasili, Panajoti, Stavrulla dhe të tjerë punonjës të vjetër të hidrocentralit kujtojnë mbërritjen e tyre për të jetuar në Bistricë dhe sesi jeta e tyre u lidh me këtë vepër.

“Ky nuk mund të quhet fshat sepse nuk ka as tokë e as bagëti”, shpjegon Vasili, ndërsa Panajot Boli tha se shteti duhet të jetë rregullator i këtyre situatave, pasi banorët e Bistricës nuk kanë ku të punojnë më.

Jeta e kësaj qyteze ishte e lidhur me ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve, por pas privatizimit pjesa dërrmuese u hoq nga puna. Kompania “Kurum” që e bleu motivoi shkarkimet e disa dhjetëra punonjësve me përmirësimet teknologjike dhe ristrukturimit. Nga ana tjetër, banorët mendojnë se askush nuk mori parasysh statusin e tyre, ndërsa shumica sot nuk shohin më asnjë motiv për të jetuar pranë hidrocentralit.
 

Top Channel