Përrenjas, Bashkia “tkur” shkollën

08/11/2014 00:00

Një vendim për reduktimin e terreneve sportive të shkollës së mesme profesionale të Përrënjasit ka zgjuar reagimin e drejtuesve të kësaj shkolle, prindërve dhe nxënësve që mësojnë aty.

Ata pretendojnë se bashkia ka marrë një vendim abuziv për të përvetësuar ambientet e shkollës.

“Na lihet jashtë terrenit sportiv fusha e sportit, ofiçinat e mekanikës, që nëse hiqen rrezikojnë funksionimin e shkollës, ndërsa ka tjetërsim të territoreve të tjera si fushat e futbollit dhe tenisit”, deklaroi Hajdar Hana, drejtor i shkollës.

Shqetësimin e tyre ata ja kanë përcjellë edhe deputetit të PS, Taulant Balla, i cili u shpreh se do të ndiqen të gjitha proçedurat ligjore ndaj një vendimi të tillë.

“Të jeni të bindur që fushën e futbollit nuk do t’jua marrë dot bashkia, pasi është një ambjent sportiv që i takon shkollës së mesme me emër të mirë të qytetit tonë. Sigurisht që do të ndjekim të gjitha proçedurat ligjore që këtë strukturë që po ngrihet në mënyrë të paligjshme të mos e lejojmë të ngrihet më tej, por ta prishim”, tha Balla.

Kryetari i Bashkisë së Përrenjasit, Bajazit Karriqi nuk pranoi të prononcohej në lidhje me këtë situatë.

Shkolla e mesme profesionale e Përrenjasit së fundmi ka përfituar nga qeveria shqiptare edhe një fond për rikonstuksionin e saj në kuadër edhe të rëndësisë që qeveria i ka kushtuar arsimit profesional.

Top Channel