Protesta e studentëve të Gjeologjisë

07/11/2014 00:00

“Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike kanë zaptuar Fakultetin për të kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 15 tetor të këtij viti dhe për të kërkuar uljen e tarifave studentore”.

Studentët e Fakultetit të Gjeologji-Minierave kanë kundërshtuar përmes protestave vendimin e Këshillit të Ministrave për të mos vijuar vitin akademik në godinën aktuale.

“Për deri sa fati ynë varet vetëm nga një shkresë, do të vazhdojmë protestat deri kur të vendosim ne për fatin tonë”, thotë një student.

“Kam ardhur në këtë Fakultet, jam regjistruar në vitin e parë dhe asnjë nuk më ka thënë që ky Fakultet do të zhvendoset diku tjetër në një kohë të ardhshme. Nuk mundet një qeveritar të marrë një vendim sot për nesër. Reformat, qeveria të mos i bëjë me mure, por t’i bëjë duke punuar, duke dhënë laboratore për studentët, sepse këtë ka premtuar”, tha një tjetër studente.

“Zgjidhja është kjo: e gjithë pjesa e universitetit na takon neve. E jona ka qenë prej 60 vjetësh, që kur ky universitet mban emrin Gjeologji-Miniera, madje këtu vijnë e bëjnë mësim edhe ata nga Magjistratura, që i përkasin Fakultetit të Drejtësisë”, shtoi një tjetër student.

Pjesë e kësaj proteste janë edhe pedagogët, të cilët e quajnë të papranueshëm këtë vendim, i cili cënon një Fakultet me histori 60-vjeçare, por edhe që ndërmerret në fillim të vitit akademik.

“Neve na duket jonormale që, me një të rënë të lapsit, të fshihet kjo histori, të zhvendoset Fakulteti, të zerohet. Është njësoj si të fillojë çdo gjë nga fillimi. Pa marrë parasysh pastaj gjithë elementët e tjerë, që kanë të bëjnë me bazën laboratorike, me punën e kolegëve tanë më të vjetër, të cilët me përkushtim kanë përgatitur breza të tërë të gjeologëve, të inxhinierëve të minierave, e që i kanë shërbyer industrisë”, tha Thoma Korini, pedagog.

“Sapo filloi, 3 javë ka që ka filluar mësimi. Do fillojë tani edhe masteri shkencor dhe ai profesional, ndërkohë që u thonë tani se do i heqin. Është një çoroditje”, tha pedagogu Iljaz Nako.

Trupa pedagogjike ka zhvilluar një takim ku ka vendosur kundërshtimin e këtij vendimi dhe rishikimin e tij nga Ministria e Arsimit dhe Rinisë.

Top Channel