Partitë reagojnë pas akuzave të Jacobson

07/11/2014 00:00

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka reagur për
akuzat për korrupsion ndaj qeverisjes së tij në Prishtinë e që të enjten
i përmendi ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jackobson gjatë
një debati kur foli për korrupsionin në Kosovë.

Përmes llogarisë së tij në Facebook, Mustafa ka thënë se dosjet e dërgura në prokurori nga kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk janë të lidhura personalisht me të.Mustafa nuk ka folur asnjë fjalë për ambasadoren amerikane, e cila tha se të gjithë liferët në Kosovë janë të përfshirë në korrupsion, por është marrë me pasardhësin e tij ne kryeqytet që i ka dërguar në prokurori 70 dosje të qeverisjes së Mustafës.

“Unë e ftoj Shpend Ahmetin, që jo 70 por 700 lëndë, ose të gjitha lëndët e punuara gjatë 6 viteve të mandatit tim, që mund të kalojnë mbi gjysmë milioni, t’i dërgoj në Prokurori, sepse jam koshient për punën dhe sjelljen time dhe po ashtu kam besim të plotë në organet e drejtësisë, edhe pse deklaratat e tilla drejtësinë e bëjnë instrument të politikës. Edhe ashtu VV nuk është duke bërë ndonjë punë tjetër në Prishtinë”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, tendenca për të vënë ekuivalencë në korrupsion nuk ndihmon në ndërtimin e institucioneve stabile dhe të qëndrueshme.

Reagimin më të fortë pas deklaratave të ambasadores amerikane Jacobson për korrupsion e ka pasur deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Në profilin e saj në Facebook, Haxhiu ka listuar emrat e krerëve të komunave të drejtuara nga LDK, që janë nën hetim, por që faktikisht nuk u përmendën nga Jacobson.

Po nga Vetëvendosje ka reaguar edhe deputetja tjetër Rudina Maloku, po në rrjetin social, por që vetëm pak më vonë e ka fshirë postimin e saj duke sqaruar se e kishte publikuar një nga administratorët e saj.

Top Channel