Kosovë, kontrolle për limonat “kancerogjenë”

06/11/2014 00:00

Nga muaji shtator, në tregun kosovar është i pranishëm limoni i importuar nga Turqia, i cili tashmë po dyshohet se është i spërkatur me substancë kancerogjene.

Është raportuar që, në lëkurën e limonit ka pasur një deklaratë të shkruar “Mos e përdor koren! Limoni është trajtuar me imazalil”, ndërsa një gjë të tillë mohojnë ta kenë hasur zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Imazalil” është pesticid, i cili përdoret për spërkatjen e frutave dhe perimeve për t’i shtuar shkëlqimin dhe për t’i ruajtuar nga kalbja. Dyshimet kanë ardhur si pasojë e erës së rëndë, që vjen nga lëvorja e limonit, dhe rënies së menjëhershme të çmimit. Ndërsa limoni i pa spërkatur me këtë lloj pesticidi vazhdon të shitet me çmimin e njëjtë, 2 euro për kg.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pas raportimit në mediat lokale, ka marrë mostrat e limonit në fjalë dhe pritet të dalë me rezultate, nëse ky produkt është kancerogjen. Në Kosovë, sipas të dhënave të Doganave, këtë vit janë importuar 2 milionë e 461 mijë e 326 kg limon. Prej kësaj sasie, 1 milion e 470 mijë e 876 kilogram janë importuar nga Turqia.

Top Channel