Hapen shkolla shqipe në Selanik

05/11/2014 00:00

Të shoqëruar nga mësuesit dhe prindërit e tyre, dhjetra fëmijë të emigrantëve shqiptarë të lagjeve perëndimore të Selanikut kanë hyrë në klasë për të filluar sezonin e ri të kursit të gjuhës shqipe.

Këtë nismë e kanë mbështetur Bashkia “Pavlo Mela” si dhe shkolla publike e këtij rajoni, që ofron një ditë në javë, një prej klasave të saj për të gjithë ata fëmijë, që duan të mësojnë gjuhën shqipe.

Në ceremoninë e fillimit të ciklit shkollor kanë qenë të pranishëm autoritetet vendore, si dhe përfaqësues të konsullatës shqiptare në Selanik, që kanë ndihmuar fëmijët shqiptarë edhe me materialet mësimore.

“Jemi përkrah miqve të shoqatës, duke dhënë çdo ndihmë për t’u realizuar kjo përpjekje me mënyrën më të mirë dhe të kemi rezultate më të mira, si në aspektin e edukimit të fëmijëve, ashtu edhe në atë të miqësisë shqiptaro-greke”, tha Konstandinos Pantsis, zv/kryetar i Bashkisë “Pavlo Mela”.

“Jam mësues i kësaj shoqate. Iu uroj shoqatës ‘Progresi’ dhe të gjithë fëmijëve suksese”, tha Arian Polishi, mësues i gjuhës shqipe.

Është viti i dytë për gati 70 fëmijë, që nën kujdesin e shoqatës shqiptaro-greke të punëtorëve dhe miqve të Selanikut, “Progresi”, shoqata e dytë më e madhe e këtij qyteti, vazhdojnë mësimin e gjuhës amëtare.

Sipas kreut të kësaj shoqate, Theodhori Miho, mësimet do të zhvillohen falas, një herë në javë dhe të paktën katër mësues deri tani kanë shprehur dëshirën e tyre vullnetarisht për t’u dhënë mësim nxënësve shqiptarë.

Nën kujdesin e shoqatave “Progresi” dhe “Nënë Tereza”, të paktën dy kurse mundësojnë mësimet për fëmijët e komunitetit shqiptar në Selanik, qyteti ku ka filluar për herë të parë mësimdhënia e gjuhës shqipe në Greqi më 7 Mars të vitit 2001, ndërsa në të gjithë vendin vlerësohet se janë të paktën mbi 30 të tilla.

Top Channel