Siguria kufitare e Ballkanit

04/11/2014 00:00

Zyrtarë të lartë të doganave dhe policive kufitare nga shtetet e rajoni po marrin pjesë në Konferencën Rajonale për Sigurinë Kufitare, e cila po mbahet në Prishtinë, nën organizimin e Policisë së Kosovës, Doganës dhe Ambasadës Amerikane.

Në hapje të konferencës, në të cilën kanë munguar vetëm përfaqësuesit nga Serbia, është thënë se vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë ngushtë mes tyre për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit që nënkuptojnë kufij të sigurt, u tha se shpejtojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se vendet e rajonit duhet ta rrisin bashkëpunimin, duke lënë anash dallimet dhe historinë.

“Është jetike që të lëmë anash dallimet tona dhe të rrisim bashkëpunimin si kusht për paqe dhe prosperitet në rajonin tonë, në shtëpinë tonë. Për demokracinë dhe shoqërinë e hapur është me rëndësi që kufijtë të jenë të hapur që të zhvillohet dhe realizohet potenciali i qytetarëve tonë. Qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm në familjen Evropiane, sepse liria e lëvizjes rrit sigurinë tonë, rrit mirëkuptimin midis popujve tanë, largon paragjykimet dhe na fuqizon si një të tërë. Falë bashkëpunimit rajonal, e ardhmja jonë evropiane ka filluar të formësohet. Siguria jonë nuk vjen përmes bunkerizimit të kufijve tanë, por përmes fuqizimit të besimit midis popujve dhe shteteve tona”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson tha se vendi i saj do të mbështesë programet që kanë të bëjnë me kontrollin e eksportit, policinë kufitare dhe doganierët në mënyrë që kufijtë të jenë më të sigurt.

“Ambasada Amerikane në rajonin e Ballkanit do të vazhdojë të punojë shumë ngushtë me të gjithë ju për përmirësimin e reformimit të sektorit të gjyqësorit dhe gjithashtu të sektorit të sigurisë, sepse gjyqësori dhe siguria janë të ndërlidhura për të gjithë ne”, tha Jacobson.

Për të luftuar edhe më shumë ekonominë informale nëpër kufij, ministri i Financave Besim Beqaj paralajmëroi se shumë shpejt do të jetë aktive forca tatimore-doganore e përbërë prej 60 pjesëtarëve.

Konferenca Rajonale e Sigurisë Kufitare do të vazhdojë edhe të mërkurën dhe të enjten, me pjesëmarrjen e drejtorëve të doganave nga shtetet e rajonit, policive kufitare, etj.

Top Channel