Skandali i EULEX në Kosovë

01/11/2014 00:00

Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, është përfshirë në skandalin më të madh që prej fillimit të mandatit, ku prokurorëve e gjykatësve ndërkombëtarë po u lakohen emrat në publik si pengues të drejtësisë dhe të dyshuar për korrupsion.

Ndërsa të enjten, ekzistencën e hetimeve për korrupsion brenda EULEX-it e pranoi dhe shefi i ri i misionit, Gabriele Meuçi.

Skandali i publikuar në një seri shkrimesh në gazetën “Koha Ditore” gjatë javës, u pasua nga pezullimi i prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, e cila, edhe pse mohonte pjesëmarrjen në shkrimin e artikujve, doli hapur për të mbështetur faktet e dala në shtyp.

Ajo akuzon eprorët e saj, se kanë ndërhyrë në disa çështje të bujshme të krimit dhe korrupsionit në Kosovë dhe se nuk ua kanë vënë veshin dyshimeve dhe akuzave të saj për pengimin e drejtësisë, në çështje si ajo e ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, dhe vrasjen e trefishtë në urën e Kaçanikut.

Bramieh e mbështet akuzën e rëndë në përgjimet telefonike, provat për rrjedhje informacioni, ndërsa skandali thellohet edhe më tej, teksa e njëjta gazetë shkruan se informacione sekrete nga EULEX kanë përfunduar në duart e agjentëve sekretë të Serbisë.

Prokurorja britanike, e cila punon prej 7 vitesh në Kosovë, akuzon gjykatësin italian Francesco Florit, tashmë të larguar nga misioni, se gjatë kohës që ka shërbyer në Kosovë ka marrë 300 mijë euro nga vëllai i një të dënuari.

Pas pezullimit të prokurores, me motivacionin për parkim të paligjshëm, ajo ka angazhuar si avokat Arianit Kocin.

Ky i fundit ka thënë përmes telefonit për Top Channel, se EULEX duhet të pezullojë të gjithë zyrtarët e përmendur ose asnjërin, ndërsa ka paralajmëruar se do të kërkojë heqjen e masës së pezullimit për klienten e tij.

Meqenëse ndaj Mariah Bamieh ende nuk ka ndonjë aktakuzë apo hetim penal, por vetëm hetim të brendshëm administrativ, avokati Koci ka thënë se nuk ka autorizim që të flasë për detaje të publikuara ditëve të fundit rreth skandaleve në EULEX.

Ngjarjet e fundit në misionin më të madh të sundimit të ligjit, për të cilin Bashkimi Evropian ka investuar qindra miliona euro, nuk kanë kaluar pa u komentuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se institucionet kosovare vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in, ndërsa ka thënë se duhet të vazhdojë tranzicioni i kompetencave nga EULEX-i tek institucionet kosovare.

“Ne mbështesim qëndrimet dhe deklaratën e shefit të ri të EULEX-it. Mbështetje, që e kemi dhënë edhe në takimet e fundit, që kemi pasur me të. Bashkëpunimi i të gjitha institucioneve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare ka qenë shumë i mirë, në kuadër të kësaj ka qenë një bashkëpunim konstruktiv dhe i përgjegjshëm në kuadër të kompetencave të ndara edhe me EULEX-in, por gjithmonë duke respektuar procesin e tranzicionit, që sa më tepër të barten kompetencat tek institucionet vendore dhe që EULEX-i të ketë më tepër rol ndihmues dhe këshillues”, tha Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.

Për misionin e EULEX-it, në fillim të mandatit të tij në Kosovë, ishin krijuar shumë pritje se do të luftonte krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Por, pas shtatë viteve punë, ky mision shihet i padobishëm dhe një vazhdimësi e misionit të OKB-së, UNMIK, që kishte vepruar në Kosovë nga paslufta.

“Në vazhdimësi janë munduar, që suksesin e këtij misioni ta masin me akte proceduriale. Në këtë rast, janë munduar që, përmes disa arrestimeve spektakolare, duke bërë shoë medial, ta paraqesin një punë të suksesshme, të cilën kanë pretenduar në vazhdimësi se e kanë bërë. Suksesi i punës në sistemin e drejtësisë mund të matet me aktgjykime të formës së prerë, të cilat kanë munguar dhe po vazhdojnë të mungojnë. EULEX-i, në njëfarë forme ka dështuar, sepse kanë munguar rezultatet, me të cilat do të mund të ofronin një drejtësi për qytetarët e Kosovës”, tha Betim Musliu, drejtor ekzekutiv, Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Publikimi i dokumenteve të ndryshme rreth aferave brenda EULEX-it po vazhdon për çdo ditë në media, ndërsa prokurorja nga Britania e Madhe ka paralajmëruar se mund të vetëshndërrohet në një Julian Assange të dytë.

Top Channel