Zgjerohet kufiri Kosovë-Shqipëri

31/10/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përuruar pikëkalimin e ri në Vermicë, i cili tashmë ka dy korsi më shumë se i vjetri.

I shoqëruar nga ministrat e qeverisë së tij dhe nga drejtues të Policisë dhe Doganave, Thaçi deklaroi pas prerjes së shiritit se infrastruktura moderne nëpër pikat kufitare do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve.

“Ne kemi bërë një investim modest, por jashtëzakonisht bashkëkohor, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve sa më tepër që është e mundur. Prandaj, unë kam besim të plotë se edhe ky investim do të ndikojë jashtëzakonisht shumë për lëvizjen sa më të shpejtë të qytetarëve nga Kosova për në Shqipëri. Në anën tjetër, unë dua të shpresoj se edhe ky investim do ta lehtësojë edhe më tepër rrugën tonë dhe në një të ardhme shumë të afërt të mos ketë fare pika kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Thaçi.

Qytetarët shqiptarë që kalojnë rregullisht në këtë pikëkalim kufitar e kanë mirëpritur zgjerimin e tij, pasi sipas tyre tani do të presin më pak në kufi.

Projekti për rindërtimin e pikëkalimit kufitar në Vermicë ka kushtuar 400 mijë euro, ndërsa është bashkëfinancuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Infrastrukturës.

Top Channel