Përkufizimi për viktimat e përdhunimeve në Kosovë

30/10/2014 00:00

“Viktimat e marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdala, rrethana të cilat sjellin me vete edhe një situatë viktimogjene, sulmin ndaj tyre”.

Kjo është një pjesë e tekstit të lëndës së Kriminalistikës në Universitetin e Prishtinës, marrë nga kapitulli “Karakteristikat e viktimave të marrëdhënieve seksuale me dhune”.

Cilësimet e tij ngjallën reagime dhe debata të ashpra përgjatë ditëve të fundit në Kosovë, ku i akuzuari  i drejtpërdrejtë ishte pedagogu me përvojë i juridikut, Prof.Dr. Vesel Latifi.

Lajmi fillimisht u shpërnda nga studentët në rrjetet sociale e më pas u mor seriozisht nga aktivistë të shoqërisë civile dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, të cilat nënshkruan një peticion që teksti të hiqej nga përdorimi, të ndërmerrej hartimi i strategjisë për përfshirje të perspektivës kritike të çështjeve gjinore dhe të kontrolloheshin të gjitha tekstet arsimore të akredituara.

Rrjeti i Grave të Kosovës e cilësoi gjithashtu të turpshëm dhe diskriminues këtë tekst, që në teori duhet të edukojë breza të tërë juristësh, prokurorësh, avokatësh dhe gjyqtarësh.

Studime të ndryshme në Kosovë kanë arritur në përfundimin se shumica e rasteve të përdhunimit nuk raportohen tek organet e drejtësisë për shkak të mosbesimit ndaj institucioneve dhe dënimeve të lehta që merren ndaj abuzuesve.

Top Channel