Protestojnë gazetarët kosovarë

28/10/2014 00:00

Gazetarë, përfaqësues të mediave, por edhe qytetarë të thjeshtë kanë
protestuar të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, një
ditë pas plagosjes me thikë në vendin e tij të punës të gazetarit të
televizionit Klan Kosova, Milot Hasimja.

Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kërkoi nga institucionet perkatese mbrojtje më të madhe për gazetarët dhe siguri për ushtrimin e profesionit.

“Është tmerruese se si, në mungesë të mbrojtjes së garantuar me ligj, gazetari sulmohet në vendin e punës. Ne u bëjmë thirrje sot agjencive për zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit që në mënyrë të hollsishme të hetojnë këto kërcënime dhe të tjera ndaj gazetarëve të Kosovës, si dhe të sigurojnë se ata që shkelin lirinë e shprehjes do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Çdo kërcënim që i bëhet një pjesëtari të medias duhet të hetohet me prioritet të lartë. Kërkojmë urgjentisht që garancitë ligjore për respektimin e të drejtave themelore të punësimit për gazetarët të forcohen”, tha Shabani.

Gazetarët kanë kërkuar edhe siguri nga punëdhënësit në vendin e punës. “Kjo që i ka ndodhur Milotit mendoj se është një thirrje shumë e madhe që kompanitë mediatike të angazhohen për t’i siguruar punëtorët e tyre. Mendoj që kjo protestë duhej drejtuar në televizionin Klan, për të kërkuar llogari se si mundi një vrasës të hyjë në studio edhe të sulmojë një gazetar kur ai është duke lexuar lajmin”, tha Vullnet Krasniqi.

Nga muaji mars në Kosovë janë shënuar 21 raste të kërcënimit apo pengimit të punës së gazetarëve në forma të ndryshme. Një ndër ta është edhe rasti i gazetarit Liridon Llapashtica i gazetës “Zëri”.

“Edhe unë para një muaji pata një rast të tillë. Më zunë pritë, më mbajtën peng dhe më kërcënuan në një formë të atillë saqë konsiderohem me fat që nuk mora ndonjë lëndim. Ishin persona të cilët u deklaruan si policë dhe më kërcënuan”, tha Llapashtica.

Qëllimi i kësaj proteste ishte sensibilizimi i opinionit me dhunën në rritje ndaj gazetarëve. Gazetari Milot Hasimja u godit me thikë të martën nga një qytetar, në kohën që po lexonte një tekst në dhomën e zërit. Rasti po hetohet si vrasje në tentativë.

Top Channel