Kosovë,  Imamët në arrest shtëpie

28/10/2014 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka liruar nga paraburgimi shtatë të pandehur, prej të cilëve shumica imamë të Bashkësisë Islame të cilët ishin arrestuar nën dyshimin për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Bedri Robaj, Fuad Ramiqi, Mazllam Mazllami, Eroll Mesini, Leonard Ruli, Sabahudin Selimi dhe Trim Ademi, do të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 17 dhjetor 2014.

Gjykata e Apelit me këtë rast ka rrëzuar për herë të dytë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila më 17 tetor ua kishte vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin shtatë të akuzuarve gjatë procesit të rivendosjes.

Top Channel e ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Apelit në të cilin jepen detaje se të pandehurit nuk mund të dëmtojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë apo duke dëmtuar prova.

Sipas vendimit të Gjykatës, kur kihet parasysh se të pandehurve ju dihet identiteti, vendbanimi, janë familjarë dhe nuk kanë qenë më parë të dënuar, mund të mbahen në arrest shtëpiak e jo në paraburgim.

Ky vendim i Gjykatës së Apelit, sipas avokatit Skënder Musa ka dëshmuar edhe njëherë se nuk ka prova dhe argumente që dëshmojnë akuzat e ngritura për nxitje për terrorizëm për imamët e arrestuar.

“Në rastin e klientit tim nuk pasur prova të mjaftueshme për ta vërtetuar dyshimin e bazuar. Prokurori nuk ka rritur të sigurojë asnjë provë. Ngjashëm ka qenë edhe për klerikët tjerë të fesë islame që unë konkretisht si avokat mbrojtës mendoj se nuk ka pasur prova që e mbështesin dyshimin e bazuar për nxitje të urrejtjes ose për nxitje për të marrë pjesë në luftëra jashtë vendit”, thotë Skënder Musa, avokat i Fuad Ramiqit.

Sipas avokatit Musa, Prokuroria nuk do të mundet as në të ardhmen pas përfundimit të masës së arrestit shtëpiak të ngrejë aktakuzë ndaj të pandehurve pasi sipas tij, dyshimet janë të pabazuara dhe se prokuroria nuk ka asnjë fakt.

Të pandehurit e liruar në arrest shtëpiak, sipas vendimit të Gjykatës nuk kanë drejtë të largohen nga shtëpitë e tyre.

Atyre iu ndalohet po ashtu të komunikojnë ndërmjet tyre dhe të kenë komunikime telefonike apo përmes rrjeteve elektronike.

Top Channel