Jacobson: Mjaft me bllokadë, gjeni zgjidhje

27/10/2014 00:00

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson porosit liderët e partive politike që të angazhohen për t’i dhënë fund bllokadës politike disamujore dhe të formojnë institucionet e reja.

Ambasadorja Jacobson e bëri këtë apel gjatë ceremonisë së shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, përpara zyrtarëve të lartë të shtetit të Kosovës.

“SHBA-të mbeten të përkushtuara që të punojnë me Kosovën sikurse edhe me shtetet e tjera në rajon për legjislacionin për viktimat e krimit, por për ta bërë këtë na duhet Kuvendi, na duhet qeveria. Prandaj i nxis udhëheqësit e Kosovës që t’i lënë mënjanë dallimet e tyre politike dhe të formojnë institucionet sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të ecin përpara me këtë dhe çështje të tjera të axhendës së Kosovës”, deklaroi Jacobson.

Në lidhje me viktimat e krimit, ambasadorja tha se u takon pikërisht liderëve të vendit të ndihmojnë këtë kategori personash, duke sjellë si shembull hapjen e një shtëpie strehimi për viktimat e dhunës në familje në Ferizaj, me ndihmën e SHBA.

Ndërsa zëvendëskryeminitri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi kërkoi angazhimin edhe të faktorëve të tjerë në shoqërinë kosovare për këtë çështje, ndërsa vlerësoi punën e deritanishme të institucioneve.

“Janë tre faktorë që duhet të përgëzojmë sot: Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës dhe Gjykatat e Kosovës. Natyrisht, Prokuroria e Shtetit ka rritur kapacitetet me zyrën për mbrojtjen e viktimave në mbarë Kosovën, të cilat duhet t’i mbështesim më tej. Përkushtimi do të rritet më shumë”, tha Kuçi.

“Sensibilizimi i publikut me të drejtat e viktimave të krimit, përveç detyrimit tonë moral e njerëzor është edhe përgjegjësi ligjore e të gjithëve ne. Ky detyrim më së miri përshkruhet me moton ‘një javë ndërgjegjësim dhe 365 ditë shërbim’. Ndërgjegjësimi i publikut me të drejtat e viktimave të krimit është punë dhe detyrim i përditshëm e i përbashkët, por mbrojtja dhe përkrahja e të drejtave të viktimave të krimit është mision dhe vlerë që duhet të zbatohet në praktikë çdo ditë”, tha më tej Sylë Hoxha, kryeprokuror i shtetit.

Ceremonia e sotme, organizuar nën patronazhin e kryeprokurorit Hoxha filloi me parakalimin e Gardës së Nderit të Policisë së Kosovës dhe u mbajt një minutë heshtje në nder të viktimave të krimit.

Top Channel