Reshje bore në zonat malore, zbardhet edhe Prishtina

23/10/2014 00:00

Reshjet e para të borës kanë mbuluar  pjesën më të madhe të Kosovës.
Bora ka shtruar gjatë mëngjesit edhe Prishtinën, spor reshjet më të
mëdha janë regjistruar në viset malore të vendit.

Në disa pjesë të qytetit gjatë mëngjesit janë raportuar edhe për pemë të rrëzuara si pasojë e peshës së dëborës dhe erës. Kompania energjitike KEDS lajmeron se reshjet e dëborës dhe era e fortë kanë shkaktuar defekte në disa distrikte.

Ekipe të KEDS janë mobilizuar për të ndrequr këto defekte, që sipas kompanisë vinë si pasojë e sistemit të vjetër shpërndarës që nuk i përballon kushtet e rënduara atmosferike.

Sipas Policisë së Kosovës të gjitha rrugët janë të kalueshme. Nga drejtuesit e makinave kërkohet kujdes më i shtuar dhe të kenë me vete të gjitha pajisjet e nevojshme dimërore.

Dëbora ka zënë në befasi edhe kompaninë që siguron ngrohjen kolektive në Prishtinë. Ngrohtorja “Termokos”, sezoni i të cilës sipas kalendarit fillon më 15 tetor, nuk është ndezur ende.

Kjo, për shkak të vonesës në realizimin e projektit për përmirësimin e cilësisë së ngrohjes përmes avullit të termocentraleve të Obiliqit. Sipas parashikimeve të motit, temperaturat pritet të rriten pas ditës së diel.

Top Channel