Blloku kërkesë presidentes

23/10/2014 00:00

Partitë e koalicionit paszgjedhor në Kosovë, LDK-AAK dhe Nisma i kanë dorëzuar të enjten një kërkesë presidentes Atifete Jahjaga, të cilës i kanë kërkuar që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e bllokadës institucionale.

Në kërkesën drejtuar presidentes, Blloku ka përmendur në detaje të gjitha dështimet e Kuvendit për t’u konstituuar, për shkak të pamundësisë së partisë më të madhe për të siguruar numrin e nevojshëm të votave.

Tri subjektet kanë kërkuar nga presidentja që të kërkojë nga Gjykata sqarime se cilat janë rrugët kushtetuese që deputetët mund të ndërmarrin në mënyrë që të realizohet konstituimi i Kuvendit.

“Vlerësojmë se kërkesa për sqarime nga Gjykata ka rëndësi të jashtëzakonshme për zhbllokimin e procesit për krijimin e institucioneve në vend, përkatësisht konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Për më tepër, duke konsideruar se rrethana të tilla bllokuese në formimin e institucioneve mund të krijohen edhe në legjislaturat e ardhshme, mendojmë se është e rëndësishme që ky sqarim të parandalojë raste të tilla edhe për të ardhmen”, thuhet në kërkesën drejtuar presidentes.

“Ne kemi planin tonë të veprimit nëse presidentja na jep të njëjtën pergjigje sikurse me minoritetet. Do ta merrni vesh planin tonë në fillim të javës tjetër”, deklaroi për mediat kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit të radhës mes subjekteve të Bllokut paszgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.

Presidentja Atifete Jahjaga ka pranuar një kërkesë të ngjashme edhe nga deputetët e minoriteteve ditë më parë, por përgjigjia e saj ka qenë negative, me arsyetimin se pas vendimeve të Gjykatës, zgjidhja e ngërçit politik duhet të bëhet nga deputetët si të zgjedhurit e popullit.

Kërkesa e re drejtuar Presidencës mban firmën e Isa Mustafës, Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt. Ndërsa VV nuk iu bashkua kësaj nisme, pasi e ka shprehur qartë edhe më herët qëndrimin ndaj Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk e njeh si të drejtë vendimin të cilit i referohet LAN në kërkesë.

Për VV, ky aktgjykim ka cënuar rëndë thelbin e demokracisë, e shprehur në aktivitetin e Kuvendit si institucioni më i lartë ligjvënës dhe deputetëve, si trupi politik përfaqësues.

Top Channel