Myftiu i Kosovës pret shefin e ri të EULEX-it

22/10/2014 00:00

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava priti të mërkurën në selinë e Bashkësisë Islame shefin e ri të EULEX-it, ambasadorin Gabriele Meucci.

Lajmin e ka bërë të ditur BIK përmes një njoftimi për shtyp, në të cilin thuhet se Tërnava i shprehu zotit Meucci mbështetjen për misionin e EULEX-it, i cili, siç tha ai, garanton dhe  ofron më shumë siguri në zbatimin e rendit dhe ligjit.

“Ne mbetemi të përkushtuar si bashkësi që të kontribuojmë në afrimin e komuniteteve dhe në kultivimin, sikurse deri tani, të tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar dhe ndëretnik”, tha Tërnava.

Ndërsa shefi i ri i misionit evropian, pasi falënderoi myftiun për kohën dhe mikpritjen, u shpreh i befasuar me organizmin e komuniteteve myslimane në Ballkan, që janë të përfaqësuara nga myslimanët autoktonë të rajonit.

Ndërkohë, në rrugë jozyrtare thuhet se Meucci dhe Tërnava diskutuan edhe për ekstremizmin islamik, një fenomen jo pak i përhapur në Kosovë e që ka bërë që shumë kosovarë t’i bashkohen luftrave të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Një situatë e tillë bëri që në muajt e fundit autoritetet kosovare të ndërmerrnin një sërë operacionesh që çuan në arrestimin e imamëve të xhamive kryesore të Kosovës.

Top Channel