Hoxhaj: Normalizim raporteve me Serbinë

22/10/2014 00:00

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj është nisur për në Serbi, ku të enjten do të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në nivel të barabartë me shtetet e tjera.

E konsideruar si vazhdimësi e samitit të Berlinit, kjo konferencë pritet të ketë në qendër bashkëpunimin rajonal, me theks të veçantë në aspektin ekonomik.

“Vizita ime në Serbi është e para e një ministri të Jashtëm të Republikës së Kosovës. Qëllimi i saj është diskutimi i çështjeve të lidhura me bashkëpunimin rajonal, kryesisht në fushën e ekonomisë.

Për më tepër, kjo vizitë tregon se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane është në një fazë të rëndësishme.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut dypalësh deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore”, deklaroi Hoxhaj para nisjes.

Top Channel