Vetëvritet në qeli sipërmarrësi italian

20/10/2014 00:00

Ka vrarë veten në burg Gianluca Ciferri, sipërmarrësi që më 15 shtator vrau dy punonjës të tij kosovarë sepse i kërkonin pagat e prapambetura prej shumë muajsh, rreth 20 mijë euro.

Duke përdorur çarçafë, 48-vjeçari ka varur veten në hekurat e dritares së banjës dhe trupi i tij është gjetur në mengjes.

Mendohet se ai nuk ka përballuar dot peshën e krimit që ka kryer dhe nga të dhënat e para duket se arësyet e xhestit i ka shpjeguar në një letër.

Ai lë gruan dhe tre fëmijë. Punëtorët kosovarë, Nexhmedin Mustafa 38 vjeç dhe Valdet Avdyli 26 u qëlluan me armë zjarri në banesën e sipërmarrësit, ku më pas u zbulua se ai kishte rreth 40 armë, të gjitha me leje.

Fillimisht Gianluca Ciferri pati deklaruar se kishte vepruar për vetëmbrojtje, por më pas ky version u hodh postë nga hetuesit. Vrasja e dy kosovarëve shkaktoi indinjatë të thellë dhe jo vetëm tek komunitetit shqiptar i cili kërkoi menjëherë drejtësi.

Me vdekjen e sipërmarrësit mbyllet në mënyrën më të hidhur një episod i rëndë që lë pas tre gra të veja dhe gjithësej nëntë fëmijë jetimë, në Kosovë e në Itali.

Top Channel