Skandali shëndetësor në Kosovë

20/10/2014 00:00

Gjykata e Apelit në Kosovë ka rikonfirmuar vendimin e Gjykatës Themelore për mbajtjen në paraburgim prej 30 ditësh të nëntë të arrestuarve të skandalit në shëndetësi, ku i dyshuar është edhe ministri Ferid Agani.

Kolegji penali i Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Apelit ka njoftuar se refuzon si të pabaza ankesat e avokateve mbrojtës të të pandehurve Lulzim Brovina, Borce Petrovski, Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtjes janë të pabazuara, sepse aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë e ka arsyetuar drejt dyshimin e bazuar, se të pandehurit janë përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen.

Nëntë të arrestuarit e këtij skandali shëndetësor dyshohen për: pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, keqpërdorim të postit zyrtar, marrje e dhënie ryshfeti, si dhe ushtrim i joligjor të veprimtarisë mjekësore e farmaceutike.

Ata dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike, me spitalet private, pa shpallur fare tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Sipas njoftimeve të Prokurorisë Speciale, disa nga të pandehurit kanë marrë ryshfet nga dy klinikat private të përfshira në këtë aferë, për t’i dërguar pacientët nga spitali publik në institucionet private.

Sipas prokurorisë, njëra nga këto spitale nuk ka pasur fare liçencë pune dhe gjithashtu edhe mjekët që kanë punuar në atë spital nuk kanë liçencë për kryerjen e ndërhyrjeve mjekësore në zemër, të cilat tashmë i kanë kryer.

Top Channel