Imamët rikthehen në gjyq

16/10/2014 00:00

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar një seancë tjetër dëgjimore për 10 të dyshuarit për cënim të rendit kushtetues të Kosovës, prej tyre shumica imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo çështje u rishqyrtua një ditë para skadimit të afatit të paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata Themelore është detyruar të rivendosë për rastin e imamëve pasi Gjykata e Apelit e kërkoi një gjë të tillë ditë më parë, për shkak se vendimi për paraburgimin e tyre nuk bazohej në prova dhe fakte të mjaftueshme.

Gjatë rishqyrtimit të lëndës, prokurori i rastit Haki Gecaj ka hequr dorë për të gjithë të dyshuarit nga vepra më e rëndë që rëndonte mbi ta, “rekrutim për terrorizëm”.

Me këtë rast, prokurori ka propozuar që të pandehurve Alban Malësiu, Dardan Gjuka dhe Idriz Bilibani t’u ndërpritet masa e paraburgimi, ndërsa për të pandehurit e tjerë ku bën pjesë edhe njëri nga liderët e partisë LISBA, Fuad Ramiqi, ai ka kërkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim.

Por avokatët e të pandehurve janë të bindur se të gjithë të akuzuarit e këtij grupi do të lirohen për shkak se sipas tyre, prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë për dyshimet e supozuara.

“Prokurori nuk ka paraqitur asnjë provë të re për asnjë të akuzuar. Përkundër kësaj, ai ka hequr dorë prej disa dyshimeve që ka pasur për të pandehurit e tjerë siç është ‘rekrutimi për terrorizëm’. Dhe as në këtë seancë nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar për asnjërin nga të pandehurit”, ka deklaruar Skënder Musa, avokat i Fuad Ramiqit.

Ai ka thënë se Fuad Ramiqi akuzohet për një deklaratë që ka dhënë në një televizion, ndërkohë që sipas tij deklarata të tilla çdo ditë jepen nga krerët e opozitës, të cilët thonë se qeveria ka kapur shtetin.

“Prokuroria nuk ka ofruar asnjë dëshmi, asnjë provë konkrete e cila do kishtë arsyetuar dyshimin e bazuar. Siç po shihet, kjo kërkesë është politike dhe edhe vendimet deri tani kanë qenë të tilla, për arsye se secili po përpiqet që t’ia hedhë përgjegjësinë tjetrit, ndërsa prova konkrete nuk ka”, ka thënë Kadri Osaj, avokat i Eroll Nisimit.

Imamët e dyshuar për cënim të rendit kushtetues u arrestuan nga Policia e Kosovës më 17 shtator, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Por deri tani, në secilin rast që Gjykata Apelit ka kthyer në rishqyrtim, të dyshuarit janë liruar për mungesë provash.

Top Channel