Vetëvendosje: Beogradi shfryu urrejtjen

15/10/2014 00:00

Lëvizja Vetevendosje ka reaguar pasditen e së mërkurës në lidhje me ngjarjet e mbrëmjes së djeshme në stadiumin e Beogradit.

“Mbrëmë, i gjithë kombi shqiptar kudo që ndodhej ishte dëshmitar i shfryrjes së një urrejtjeje e dhune të pafajshme kundër kombëtares shqiptare. Kjo ndeshje futbolli tregoi një të vërtetë të cilën vazhdimisht, por pa sukses, po mundohet ta fshehë politika: Serbia dhe Beogradi janë po të njëjtët në konceptimin e tyre për shqiptarin, shtetin, lirinë dhe identitetin tonë kombëtar”, thuhet në një komunikatë.

Për lëvizjen Vetevëndosje, të gjitha zhvillimet në prag të ndeshjes treguan qartë se Serbia do ta shprehte konkretisht urrejtjen e saj.

“Ajo që ndodhi mbrëmë në Beograd është në të vërtetë ajo që ndodh me shqiptarët në Luginën e Preshevës. Simbolet kombëtare shqiptare që fluturuan mbrëmë mbi Beograd nuk përbëjnë provokim, por thirrje për drejtësi. Zyrtarë e politikanë serbë menjëherë u ngutën që t’i paraqesin këto simbole si shkaku që ngjalli dhunën. Kjo do të thotë se, në të vërtetë, pikërisht këtë dhunë nuk e ka bërë tifozeria serbe, por politika shtetërore. Simbolet shqiptare në stadiumin serb nuk janë arrogancë, por reagim i domosdoshëm kundër shkeljes së identitetit, përgjigje spontane ndaj mohimit të pjesëmarrjes dhe e drejtë për kryengritje ndaj shtypjes”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel