Blloku paszgjedhor kundër zgjedhjeve

14/10/2014 00:00

Liderët e koalicionit paszgjedhor në Kosovë janë mbledhur të martën për të diskutuar idenë e zgjedhjeve të parakohshme, e cila është përfolur ditët e fundit si një alternativë për të dalë nga ngërçi politik.

Por koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje janë shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme pasi konsiderojnë se shumicës parlamentare i takon formimi i institucioneve.

Duke folur në emër të Bllokut paszgjedhor, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se zgjedhjet e parakohshme nuk mund t’i shpallë presidentja nëse deputetët nuk duan të shpërndajnë Parlamentin.

“S’ka zgjedhje. Ka një shumicë parlamentare dhe zgjedhje nuk do të ketë. Kot të flitet për to. Nuk është blloku ynë që ka problem të shkojë në zgjedhje, por nuk mund të shkojmë tek to vetëm sepse këtë e dëshirojnë 36 deputetë. Jo vetëm që ka një shumicë parlamentare, por janë dy të tretat e deputetëve që nuk i dëshirojnë ato”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka fajësuar PDK-në dhe kryesuesen e seancës konstituive Flora Brovina për bllokimin e institucioneve. Sipas Haradinajt, qeveria është duke funksionuar dhe po merr vendime edhe duke pasur vetëm 36 vota në Kuvend.

Kundër zgjedhjeve të parakohshme të martën kanë dalë edhe minoritetet joserbe. “Këto ditë flitet shumë për zgjedhjet, por zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ne ende mendojmë se ekzistojnë zgjidhje brenda Parlamentit sepse deputetët duhet të vendosin përsa i përket shkuarjes më tutje. Nevojiten pak lëshime nga të gjitha partitë politike”, ka thënë Mahir Yagcilar, përfaqësues i Grupit 6+.

Përfaqësuesit e komuniteteve pakicë u kanë bërë thirrje partive shqiptare që të gjejnë zgjidhje për formimin e institucioneve, në kuadër të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës.

Gjatë ditëve në vijim, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pritet të thërrasë sërish në takime liderët e subjekteve parlamentare, nga të cilët pret propozime për të dalë nga kriza politike.

Top Channel