Vrasje në qendër të Prishtinës

13/10/2014 00:00

Një vrasje tronditi këtë të hënë qendrën e Prishtinës. Një i ri u vra me armë zjarri në një nga baret në rrugën “Rexhep Luci”, në qendër të kryeqytetit kosovar.

Viktima, Rrahman Uka 36 vjeç, ishte punonjësi i sigurimit të lokalit ku ndodhi vrasja. Policia u ka vënë prangat dy të dyshuarve që identifikohen në media si Masar dhe Sherif Gerdovci.

Njërit prej tyre i është gjetur dhe arma me të cilën dyshohet se ka qëlluar dy herë mbi Ukën, raportojnë burimet mediatike.

Policia thotë se po heton motivet e ngjarjes, ndërsa dëshmitarë kanë treguar se shkak mund të jetë bërë një grindje me të dyshuarit, pasi ata nuk u lejuan të hynin në lokal.

Mësohet se ngjarja, që ndodhi vetëm pak metra larg Drejtorisë së Policisë në Prishtinë, alarmoi dhe vuri në lëvizje forca të shumta policore, të pëfshira në një aksion që vijoi disa orë pas ngjarjes.

Top Channel