Ndërkombëtarët: Formoni institucionet

13/10/2014 00:00

Përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ambasadorë europianë kanë vlerësuar se vendit i nevojitet Kuvendi dhe qeveria e re sa më shpejt, në mënyrë që përfundimet e raportit të progresit të merren menjëherë parasysh dhe që Kosova të ecë përpara.

Në një debat të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për raportin e progresit, diplomatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Prishtinë kanë vlerësuar se sfidat e raportit duhet të adresohen shumë shpejt.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ian Cliff ka thënë me këtë rast se në qendrat evropiane vërehet frustrim i politikanëve kosovarë sa i përket ngërçit politik.

“Kosova duhet ë lëvizë shpejt për formimin dhe funksionimin e Kuvendit së pari, pastaj qeverisë dhe institucioneve të tjera. Vërehet se ka rritje të frustrimit nga ana e politikanëve kosovarë që nuk janë në gjendje të zgjidhin një problem të tillë për të krijuar institucionet funksionale. Pra, ky frustrim vërehet në Bruksel, në Londër, në Berlin dhe vende të tjera. Kur ta keni qeverinë e re, atëherë kjo qeveri do t’i listojë prioritetet që të marrë seriozisht të gjitha vërejtjet e raportit të progresit. Kjo është një detyrë për qeverinë dhe politikanët”, ka deklaruar Cliff.

Edhe shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe Integrim në zyrën e BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi ka thënë se përfundimet e raportit të progresit duhet të adresohen shpejt, në mënyrë që të ndodhë reformë e thellë në administratë, të luftohet korrupsioni dhe të forcohet drejtësia.

“Na duhet qeveria e re në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje të fokusohet në reformat kyçe, siç është reforma elektorale apo ajo në administratën publike, reforma këto që ne do t’i marrim  parasysh”, ka thënë Gnocchi.

Raporti i progresit sa i takon çështjes së lirisë së mediave, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i ka tejkaluar pritjet e tyre.

“Raporti për ne, për AGK-në, në të vërtetë i tejkalon pritjet tona. Në bazë të monitorimit që kemi bërë vazhdimisht, ne prisnim një raport pak më të zi. Kjo, pasi raportimet tona kanë pasqyruar gjithmonë një gjendje jo të kënaqshme në fushën e medias në tërësi”, ka thënë Zekirja Shabani.

Në këtë debat u tha më tej se arritjet e Kosovës të evidentuara në raportin e progresit ishin Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, zgjedhjet dhe dialogu me Serbinë.

Top Channel