Kriza, java e ardhshme vendimtare

13/10/2014 00:00

Dy blloqet politike në Kosovë, PDK në njërën anë dhe koalicioni
LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje në anën tjetër besojnë se kjo javë do të
jetë vendimtare për të gjetur rrugën që do të qonte tek zgjidhja e
ngërçit politik të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti, ka thënë për Top Channel se pas disa raunde takimesh tek presidentja e vendit, këtë javë tjetër partitë bashkërisht duhet të pajtohen për të gjetur zgjidhje për formim të institucioneve, apo për tu pajtuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Mendoj që kushdo që dëshiron të veprojë në përputhje me rregullat e lojës, e di se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të cilin duhet ta zbatojmë. Në të kundërtën, po qe se vazhdon bllokada, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje institucionale përmes së cilës ne shkojmë në zgjedhje. Por prapë duhet një marrëveshje politike”, tha Xhavit Haliti.

Haliti ka thënë se liderët politikë duhet të jenë më racionalë në qëndrime dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje e cila do t’i shmangte zgjedhjet e reja të cilat sipas tij nuk i shërbejnë  askujt.

Përpjekje për gjetjen e një zgjidhje ka premtuar edhe koalicioni pas zgjedhor.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija ka thënë për Top Channel se në konsultime te presidentja do të diskutojnë për mënyrën se s’i t’i kërkohet shpjegim Gjykatës Kushtetuese se si të zbatohet vendimi i saj. Kjo pasi, sipas Sahatçisë, vendimi i jep të drejtën PDK-së për nominim të kryetarit të Kuvendit, por nuk hap rrugën e zgjidhjes, kur partia që propozon, nuk ka vota për realizim.Prandaj, sipas nënkryetares së LDK-së, tani Gjykata Kushtetuese e ka radhën të sqarojë vendimin e saj.

Megjithëkëtë, Sahatçija ka thënë se ende nuk kanë vendosur si bllok paszgjedhor se si t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, nga Kushtetuesja mund të kërkohen sqarime nga Presidentja, nga partia e cila ka deponuar ankesën por edhe nga deputetët pasi ata e kane dhënë betimin e tyre.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga pritet që të thërrasë sërish krerët e subjekteve parlamentare, nga të cilët ajo ka kërkuar propozime konkrete për zgjidhjen e ngërçit.

Top Channel