Skandali në shëndetësi, Thaçi thërret ministrat

10/10/2014 00:00

Rasti i arrestimit të 9 personave nga sektori i shëndetësisë për skandalin me buxhetin e pacientëve për shërim në spitalet private, ku është i përfshirë edhe ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka shqetësuar kryeministrin kosovar Hashim Thaçi.

Ai ka takuar të premten në mëngjes ministrin Agani dhe ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, prej të cilëve ka kërkuar masa ndëshkimore për personat përgjegjës, si dhe të garantohet maksimumi i transparencës me publikun dhe bashkëpunimi me organet e drejtësisë.

Vetë ministri Agani e ka konfirmuar pas marrjes në pyetje nga policia se është i dyshuar, por ka thënë se shumë shpejt do të sqarohet pozicioni i tij në këtë aferë.

“T’ju them të drejtën unë kam qenë i befasuar edhe pse thirrem në polici në cilësinë e të dyshuarit, sepse prej asaj që unë e pash dje në komunikatën e Prokurorisë Speciale, akuzat të cilat vijnë për shkeljen e dyshuar të Ligjit të Prokurimit Publik, ose nënshkrimin e marrëveshjeve të paligjshme të cilat kanë favorizuar spitale të caktuara private, përfundimisht nuk qëndrojnë dhe këtë e thash edhe dje në intervistën time sepse ekzistojnë fakte të qarta nga Ligji për financat publike, nga rregullore financiare të MF-së mbi shfrytëzimin e mjeteve dhe në kategorinë ekonomike të subvencioneve”, ka deklaruar Agani.

Sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, gjatë marrjes në pyetje nga ana e hetuesve ka thënë se, nën presionin e ministrit Ferid Agani ka nënshkruar kontratën e paligjshme, pa përfillur ligjin, me klinika private të zemrës.

Të arrestuarit e aferës në shëndetësi të premten janë paraqitur para Gjykatës Supreme të Kosovës, ku prokurori i rastit ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ta. Besnik Berisha, avokat i njërit prej mjekëve të arrestuar ka bërë të ditur se prokurori nuk ka kërkuar paraburgim për sekretarin Ministrisë së Shëndetësisë dhe për ministrin, por vetëm për mjekët.

Personeli shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë dhe disa mjekë të klinikave private janë arrestuar me autorizim të Prokurorisë Speciale. Për ta ekziston dyshimi i bazuar se, duke vepruar në bashkëpunim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofrohen në institucionet publike.

Top Channel