Ebola, rriten masat në Kosovë

10/10/2014 00:00

Për shkak të rrezikut nga virusi vdekjeprurës Ebola, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë shtuar masat e kontrollit. Por megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha se nuk ka vend për panik, pasi Kosova nuk ka fluturime direkte për në vendet e Afrikës, prej nga ka origjinën ky virus.

“Janë ndërmarrë masat. Agjencia e menaxhimit të emergjencave menjëherë i është përgjigjur kësaj situate dhe po ashtu në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku aviacioni civil bie në përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme, është zyra me prezencën e mjekut dhe stafit tjetër. Fatmirësisht ne nuk kemi flukse udhëtimi të qytetarëve tanë me vendet subsahariane, por mund të ndodhë që nëpërmjet fluturimeve nga Stambolli, Prishtina të përdoret tranzit. Edhe një herë dua të njoftoj qytetarët e Kosovës se për momentin s’ka nevojë për kurrfarë frike”, deklaroi Rexhepi.

Ministri Rexhepi doli një konferencë të përbashkët shtypi me ministrn e Shëndetësisë, Ferid Agani, pak orë pas një takimi me kryeministrin Hashim Thaçi, ku u fol për Ebolën. Agani tha se së shpejti do të propozojë krijimin e një këshilli ndërministror, edhe pse sipas tij mundësitë e infektimit në Kosovë janë minimale.

“Ministria e Shendetësisë do të përgatisë për mbledhjen e radhës së qeverisë propozimin për themelimin e këshillit ndërministror, për ballafaqimin me sëmundjen e Ebolës, këshill ky i cili do të ketë terma të caktuara të referencës që do të koordinojë aktivitetet e përgjegjësve të ndryshëm, të niveleve të ndryshme  lidhur me këtë sëmundje”, deklaroi Agani.

Ndërsa Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se në Kosovë nuk asnjë rast as të dyshuar e as të infektuar me Ebola. Ai rekomandoi qytetarët e Kosovës, që të shmangin udhëtimet në shtetet e Afrikës.

“Instituti kombëtar ka ngritur menjëherë shkallën e gatishmerisë në rast të shfaqjes së rasteve të Ebolës. Aktualisht nuk ka asnjë rast të infektimit dhe asnjë rast të dyshimt në Republikën e Kosovës. Kujdesi në parandalimin e sëmundjes është shtuar menjëherë, duke pasur parasysh se është paraqitur edhe një lloj paniku. Duke ditur se virusi nuk përhapet përmes ajrit, por vetëm me kontaktin direkt të lëngjeve të trupit të personave të infektuar apo kafshës së infektuar, ne duhet të dimë se rreziku është i vogël, ose mund të themi minimal”, tha ai.

Top Channel