Thaçi: Blloku keqpërdor Kuvendin

09/10/2014 00:00

Partia Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar si antiligjore seancën e mbajtur të enjten nga deputetët e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

Pas një takimi të mbajtur nga kryesia e PDK-së, kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi tha se Blloku keqpërdori Kuvendin duke vepruar përtej autorizimeve.

“Ajo nuk ishte një seancë. Ai ishte një takim për të cilin u keqpërdor hapësira e Kuvendit të Kosovës. Ky është një veprim që shkon përtej autorizimeve që mund të kenë individë të tillë. Ai ishte një takim ilegal, jozyrtar, jokushtetues dhe pa asnjë vlerë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi bëri thirrje sërish që të gjithë liderët të ulen në tryezë dhe të bëjnë një marrëveshje për formimin e institucioneve të Kosovës, në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe respektimit të rezultatit të 8 qershorit.

“Ne do të punojmë në kuadër të frymës së bashkëpunimit, komunikimit dhe vullnetit të mirë për një dialog të brendshëm dhe shpresoj se i gjithë spektri politik në një moment do të reflektojë. Ose të paktën një pjesë e spektrit politik, sepse pjesa tjetër ka ende logjikën e izolimit dhe nuk di as se çfarë kërkon”, tha Thaçi.

Thaçi ka ftuar të gjitha subjektet politike që të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të 8 qershorit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për formimin e institucioneve.

Top Channel