Blloku mban seancën parlamentare

09/10/2014 00:00

Deputetët e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje
mbajtën seancën e thirrur me 62 nënshkrime të deputetëve, por e cila u
bojkotua nga kryesuesja Flora Brovina, Partia Demokratike e Kosovës si
dhe deputetët e pakicave.

Në mungesë të deputetes më të vjetër, seanca u kryesua nga deputetja më e re, Teuta Rugova, vajza e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti tha gjatë fjalimit të tij në seancë se koalicioni pas zgjedhor mes forcave politike me dallime të ndryshme politike ka pasur për qëllim ndërprerjen e qeverisjes nga PDK.

“Jo vetëm që e kemi parandaluar Thaçin të bëhet kryeministër, por ne kemi parandaluar aq shumë gjëra. Paramendoni ministër të Punëve të Brendshme Kadri Veselin ose Latif Gashin. Paramendojeni ministër të Shëndetësisë Shaip Mujën. Paramendojeni ministre të Integrimeve evropiane Ganimete Musliun. Paramendoni gjithë këto e shumë të tjera të cilët ne mund t`i paramendojmë, i kemi parandaluar dhe kjo është një e arritur shumë e madhe”, tha Albin Kurti.

Deputetët e koalicionit pas zgjedhor shfrytëzuan këtë seancë për të folur për qeverisjen e deritashme në vend, por në fund të seancës sërish konfirmuan kthimin në pikën zero.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje kryesueses së seancës që të thërras vazhdimin e seancës konstituive sepse është obligim i 120 deputetëve të Kuvendit që sa më shpejtë ta përfundojnë seancën konstituive. Nëse zonja Brovina nuk e thërret seancën konstituive, përsëri sikur edhe kësaj here, shumica parlamentare do të angazhohet për vazhdim të seancës dhe për konstituim të Kuvendit në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare”, tha Vjosa Osmani. 
 
Pas seancës parlamentare, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha se shumica parlamentare e ka zgjidhjen për dalje nga kriza.

“Kemi mundur ta zgjedhim sot kryetarin. I kemi votat. Kemi mundur ta zgjedhim Kryesinë e Parlamentit. Presim t’i përgjigjen seancës gjithë deputetët për të kryer punë në Kuvend”, tha Haradinaj.
 
Kryesuesja e seancës konstituive Flora Brovina e cila është e mandatar ta thërrasë seancën konstituive, ka thënë se do ta thërras atë vetëm kur të ketë marrëveshje mes forcave politike, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel