Kosovës i dorëzohet progres-raporti

08/10/2014 00:00

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar i ka dorëzuar të mërkurën raportin e progresit presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi.

Komisioni Evropian ka kritikuar në këtë raport autoritetet kosovare për dështimin në konstituimin e Kuvendit, duke i cilësuar vonesat si “kthim prapa”. Por nga ana tjetër Komisioni ka vlerësuar punën për MSA-në dhe liberalizimin e vizave.

Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar gjatë konferencës ku prezantoi raportin e progresit bëri thirrje në emër të Brukselit zyrtar që Kosova të formojë sa më parë institucionet.

“Katër muaj pas zgjedhjeve të suksesshme, vendi është në rrugë pa krye. Shihet një bllokim i qartë në mundësinë apo gatishmërinë e elitës politike për të zgjidhur problemet. Kosova tashmë po ndjen pasojat e vonesës në formimin e institucioneve dhe ekziston një numër i madh çështjesh në të cilat ka për të punuar Kuvendi dhe qeveria. Pra, duke paraqitur këtë raport dhe progresin e vitit të kaluar u bëj thirrje liderëve tuaj që të vënë në rend të parë interesat e Kosovës dhe qytetarët e saj dhe të gjejnë një rrugë përpara”, deklaroi Zhbogar.

Pas marrjes së raportit, krerët e institucioneve kosovare u shprehën të kënaqur me përmbajtjen e tij, ndërsa premtuan se sfidat identifikuara do t’i adresojnë sa më shpejt.

“Sa i përket Kosovës, raporti konfirmoi progresin e arritur në përmbylljen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe progresin drejt përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave. Këto dy procese tanimë janë të konsoliduara dhe të formuara fuqishëm në axhendën evropiane të Kosovës”, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi.

Thaçi u shpreh se shpreson që raportin e progresit ta kenë parë edhe subjektet politike në Kosovë dhe të reflektojnë mbi nevojën e formimit të shpejtë të institucioneve.

Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për mediat, theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që sfidat e identifikuara të adresohen me seriozitetin më të lartë nga të gjitha institucionet.

Jahjaga tha se, institucionet e reja duhet që me urgjencë të jetësojnë përkushtimin për reforma dhe të adresojnë mangësitë e identifikuara në raportin e progresit.

Raporti i progresit për Kosovën thekson se, qeveria e re duhet të fillojë një gamë të gjerë reformash gjithëpërfshirëse, posaçërisht reformën zgjedhore dhe atë të administratës publike.

Top Channel