Blloku paszgjedhor nuk tërhiqet

08/10/2014 00:00

Takimi konsultativ i thirrur nga kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare nuk e ka bindur bllokun paszgjedhor që të heqë dorë nga mbajtja e seancës, e paralajmëruar për ditën e enjte.

Madje, deputetja Vjosa Osmani, e cila përfaqësoi në takimin me Brovinën koalicionin LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, tha se seanca e së enjtes do të sjellë debat dhe në vartësi të përmbajtjes së tij deputetët e Bllokut mund t’i drejtohen për sqarime Gjykatës Kushtetuese.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë që deputetët e Kuvendit të bëjnë një kërkesë në mënyrë që të sqarohet se çfarë ndodh nëse konsumohet apo dështon vazhdimisht e drejta e PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit, pasi kjo parti nuk i siguron dot 61 votat e nevojshme. Besoj se në mos sot, ky vendim do të merret nesër paradite apo gjatë diskutimeve”, deklaroi Osmani.

Në seancën e së enjtes të thirrur nga koalicioni paszgjedhor nuk do të marrë pjesë kryesuesja e seancës, Flora Brovina, por as deputetët e PDK-së dhe minoriteteve. Brovina ka thënë se në rregulloren e Kuvendit nuk parashikohet që në një seancë konstituive të zhvillohet një debat ashtu siç kërkon blloku.

“Konstatuam se konferenca për nesër nuk është përgatitur nga unë, nuk është thirrur nga unë dhe unë nuk do të marr pjesë si kryesuese. Seancat e tjera jemi të gatshëm t’i thërrasim për 24 orë nëse kemi një shenja pozitive se mund të zgjidhim ngërçin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve”, deklaroi Brovina.

Për seancën e së enjtes, të thirrur nga 62 deputetë të koalicioni paszgjedhor, kanë diskutuar edhe liderët e Bllokut të mbledhur së bashku në një takim të veçantë.

“Presim që Brovina të vijë në seancë. Nëse ajo nuk vjen, atëherë seancën e drejton më i riu ose më i vjetri pas Brovinës. Mungesa e thirrjes së një seance nga ana e saj është e pakuptimtë. Ajo dhe Hashim Thaçi janë bllokues të institucioneve”, deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha gjithashtu se, në seancën e së enjtes, edhe pse është parashikuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, një gjë e tillë mund të mos ndodhë.

Top Channel