Thaçi fton sërish për dialog

07/10/2014 00:00

Është zhvilluar paraditen e së martës një tjetër takim mes presidentes
së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe krerëve të PDK-së, në përpjekje për
zhbllokimin e ngërçit politik që ka përfshirë vendin.

Pas takimit, kreu i PDK-së, Hashim Thaçi përsëri ftoi krerët e subjekteve politike që të reflektojnë dhe të ulen për të diskutuar gjetjen e një zgjidhjeje, “konform rezultatit zgjedhor dhe konform vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Nga ana e tyre, 62 deputetët e koalicionit kanë thirrur seancën për më 9 tetor, me motivacionin se vendimi i kryesueses Flora Brovina për ta shtyrë atë ishte në kundërshtim me vullnetin e shumicës së të zgjedhurve të popullit.

Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca vlerësoi një ditë më parë se, është e pakuptimtë që për formimin e Kuvendit të diskutohet jashtë këtij institucioni.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati tha për Top Channel përmes telefonit se, në seancën e së enjtes do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje për të formuar institucionet e vendit.

Ai deklaroi se blloku paszgjedhor pret që në këtë seancë të marrin pjesë edhe deputetët e PDK-së dhe së bashku të diskutojnë për zgjidhjen e mundshme.

Në emër të LDK, Ferati u shpreh i vetëdijshëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka saktësuar se e drejta e propozimit për kryetar i takon vetëm PDK-së.

Por, sipas tij, PDK nga ana e saj duhet të heqë dorë pasi nuk mund të provojë deri në pafundësi që të zgjedhë kryetarin nga radhët e saj.

Top Channel