Kosovë, arrestimet e imamëve zbehin festën

04/10/2014 00:00

Besimtarët në xhaminë e madhe në Prishtinë thonë se asnjëherë nuk ka
pasur më pak njerëz në faljen e Kurban Bajramit në qendër të
kryeqytetit.

Mungesa e imamit të kësaj xhamie, hoxhës Shefqet Krasniqi që ndodhet në paraburgim, i akuzuar për nxitje për terrorizëm, ka ulur interesimin e besimtarëve për t’u lutur në xhaminë Sulltan Mehmed Fatihu.

Por besimtarët islamë janë të bindur në pafajësinë e hoxhës Shefqet Krasniqi, ndërsa luten që ai dhe imamët tjerë të lirohen nga paraburgimi.Qytetarët thonë se kohëve të fundit feja islame është përzier në politikë dhe anasjelltas, por bëjnë thirrje që kjo të ndërpritet dhe imamët të lihen të lirë.

“Imamët i mungojnë gjithkujt.Imamët duhet t’i nderojmë. Duhet të matemi mirë në akuzat e imamëve të Zotit sepse ata janë shkolluar në drejtimin e Zotit. Politika duhet të jetë larg përzierjeve të fesë si dhe feja të jetë larg politikës sepse nuk shkojnë njëra me tjetrën”, thotë Isuf Musliu, një qytetar.

“Mua po më duket që pa rend, pa kurrfarë rendi e kanë burgosur. Nuk është e mundur ai me qenë kundërshtarë i fesë islame e as kundërshtarë i ndokujt tjetër. Ai ka qenë fetar”, thotë një qytetar.
   
“Dëshirojmë që drejtësia të veprojë mbi të gjithë. Nëse janë të pafajshëm i ndihmoftë Zoti, nëse janë të fajshëm drejtësia le ta gjykojë. Dëshiroj që drejtësia ta gjej të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, thotë një tjetër qytetar.

Pas faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët nuk patën mundësi të dëgjojnë ndonjë ligjëratë siç ka ndodhur herëve të tjera kur i pranishëm në xhami ishte hoxha Shefqet Krasniqi.11 imamë kosovarë vazhdojnë të ndodhen në paraburgim nën dyshimet për nxitjen e kosovarëve për të shkuar për të luftuar në Siri.

Top Channel