Koalicioni opozitar futet në Kuvend

02/10/2014 00:00

Deputetët e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje kanë
hyrë të enjten në sallën e seancave në Kuvendin e Kosovës, për të
kundërshtuar nga aty shtyrjen e seancës nga ana e kryesueses Flora
Brovina.

Të pranishëm në sallë ishin 63 deputetë të Bllokut pas zgjedhor.

Liderët e  ketij blloku u janë drejtuar deputetëve nga foltorja e Kuvendit nga ku kanë bërë fajtore PDK-në e cila sipas tyre po i mbanë institucionet e bllokuara.

Ata kanë paralajmëruar se do të mbledhin nënshkrime dhe do të kërkojnë që seanca konstituive të vazhdojë më së largu në mesin e javës së ardhshme.

“Ne sot nuk jemi këtu që të mbajmë seancë sepse ata që e kanë marr një mandat, ata po i frikohen Parlamentit, po i frikohen seancës. Por jemi këtu për të shpreh papajtueshmërinë tonë të plotë si deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës me këtë sjellje”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.  

“Partia në pushtet e cila është parti shtet dhe e cila e ka lënë shtetin e Kosovës praktikisht pa Republikë dhe po bënë gjithçka që ta lë edhe pa Kuvend, duhet të shkojë. Me qeverinë e kaluar Kosova nuk mund të ketë të ardhme dhe ne jemi bërë bashkë që Kosova të ketë të ardhme”, theksoi Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes. 
 
“Ne sot i themi qytetarëve të vendit, i themi kolegëve të gjitha partive politike, i themi partnerëve nga të gjitha komunitetet etnike se jemi të vendosur për një ndryshim të plotë në vend. Jemi përcaktuar ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive, me nënshkrime. Pra do të ndodhë kjo seancë. Dhe jemi të përcaktuar për t’i dhënë Kuvendit kryetarin, kryesinë dhe vendit institucionet”, theksoi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
    
  “Jam i bindur që sot shumë kush ka pritur dhe pret që ne sot këtu do të bëjmë ndonjë tip revolucioni dhe ata që nuk ia duan të mirën demokracisë dhe vendit tonë, kanë pritur sigurisht se sot këtu do të bëhej diçka që do të kishte pasoja. Jo nuk mund të bëjmë ne ato veprime”, tha Fatmir Limaj, kryetar i NISME-s.

 Liderët e koalicionit pas zgjedhor kanë paralajmëruar se në seancën e re konstituive do të zgjedhin të propozuarin e tyre për kryetar dhe do të vazhdojnë me formimin e institucioneve, konform vullnetit të shumicës në Parlament.

Top Channel