Lirohen nga paraburgimi dy imamë

25/09/2014 00:00

Prokurori që po heton 11 imamët kosovarë të akuzuar për nxitje të esktremizmit, Haki Gecaj ka vendosur të enjten pasdite që të lirojë dy prej tyre, duke u mundësuar mbrojtjen në liri.

Bëhet fjalë për Enis Ramën dhe Ekrem Avdiun nga Mitrovica. Prokurori Gecaj, që i vetëm po mbledh prova për imamët e arrestuar, ka thënë se nga puna e tij njëjavore ka grumbulluar faktet e nevojshme për dy të liruarit dhe për pasojë ata tani mund të qëndrojnë në arrest shtëpie.

Ai ka sqaruar se mbrojtja e imamëve në liri nuk nënkupton pafajësinë e tyre, pasi hetimet janë duke vazhduar, por duke qenë se ata nuk paraqesin rrezik mund të qëndrojnë në shtëpi dhe jo në paraburgim.

Gecaj ka deklaruar përmes telefonit për Top Channel se kërkesa e tij për largimin e dy imamëve nga paraburgimi në shtëpi është e bazuar në kompetencat që ka si prokuror i çështjes. Sipas tij, në ditët në vijim, në bazë të punës që arrin të bëjë mund të ndodhë që të lirojë edhe ndonjë imam tjetër.

I ngarkuari me rastin e imamëve që dyshohen se kanë rekrutuar dhe nxitur terroristë për të shkuar në luftën e Sirisë, ka sqaruar se dosja e të dyshuarve është voluminoze dhe kërkon shumë punë deri në përgatitjen e aktakuzës që mund të ngrihet.

Ditë më parë, Policia e Kosovës realizoi operacion për arrestimin e 15 imamëve dhe aktivistëve që dyshohen se kanë nxitur kosovarët për të shkuar në luftën e Sirisë dhe Irakut. Me vendim të Gjykatës Supreme të dyshuarit ndodhen në paraburgim për 30 ditë, derisa prokurori Gecaj të vendosë për proçedurat e mëtejshme.

Top Channel