Thaçi përshëndet vizitën e Papës, Kurti: Vatikani të na njohë

20/09/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur vizitën historike, siç e ka cilësuar ai të Papa Françesku të dielën në Tiranë dhe shprehu mirënjohje që kjo njëkohësisht është edhe vizita e parë në Tiranë.

“Vizita e tij nxjerr në pah modelin unik të bashkëjetesës fetare të shqiptarëve, i cili duhet të shërbejë si shembull për gjithë botën”, ka shkruar kryeministri Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Kjo ngjarje dëshmon gjithashtu përcaktimin e popullit tonë për t’u orientuar strategjikisht drejt Perëndimit, ka shkruar ai dhe se “Me këtë rast i dërgoj urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, që nesër do ta kenë në shtëpinë e tyre liderin e tyre shpirtëror”.

Kurti: Vatikani të njohë pavarësinë

Lëvizja Vetëvendosje në prag të vizitës së Papës në Shqipëri publikoi një letër që kreu i saj Albin Kurti ka dërguar në Vatikan pak ditë më parë. Në letrën drejtuar Atit të Shenjtë Kurti kërkon njohjen e Kosovës nga Vatikani gjë që sipas tij do të ishte një hap drejt fuqizimit të popullit të Kosovës në luftën për të realizuar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se politika e njohjes mund të jetë një çështje delikate dhe komplekse për Selinë e Shenjtë dhe për marrëdhëniet e saj diplomatike me shtetet e tjera. Megjithatë, janë qytetarët e thjeshtë të Kosovës që mbajnë barrën e kësaj mungese të njohjes në jetën e tyre të përditshme. Prandaj, unë me mirësi kërkoj nga Shenjtëria Juaj të lutet për ne dhe të kërkojë të vërtetën dhe drejtësinë në zemër të kësaj çështjeje”, shkruan Kurti.

“Vizita juaj në Shqipëri do të jetë një ngjarje historike e madhe për të gjithë shqiptarët dhe unë shpresoj se në të ardhmen do të kemi edhe kënaqësinë dhe nderin e vizitës suaj në Kosovë”, përfundon letra e Kurtit në të cilën në emër të Lëvizjes përshendet  vizitën e Papa Françeskut në Shqipëri. 

Top Channel