PDK ftesë për marrëveshje

19/09/2014 00:00

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar partitë politike që të ulen dhe të diskutojnë për daljen nga kriza për formimin e institucioneve të reja, në përputhje me Kushtetutën dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit.

Lidershipi i PDK ka mbledhur të premten në takim kryetarët e degëve si dhe deputetët e Grupit Parlamentar për të diskutuar për krizën politike në vend. Nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka deklaruar se partia e parë në zgjedhje nuk bën kurrfarë kompromisi me postin e kryeministrit.

“PDK e ka një kandidat për kryeministër. Qytetarët e Kosovës e kanë një kandidat për kryeministër sepse janë matur 5 a 6 në zgjedhje dhe njëri ka fituar vota. Hashim Thaçi është kandidat i PD-së, ka qenë dhe mbetet. Implementimi i ‘Misionit të Ri’ bëhet vetëm kur në krye të tij është kryeministri aktual, unë besoj edhe i ardhshëm padyshim. Ne nuk kemi ndërruar kandidat dhe nuk do ta ndryshojmë asnjëherë”, tha zv.Kryetari i PDK, Memli Krasniqi.

PDK e ka përshëndetur nismën e Presidentes Atifete Jahjaga për të mbledhur partitë politike dhe për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve. Sipas Memli Krasniqit, PDK ka mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të saj për të vazhduar rolin e saj konstruktiv dhe proaktiv në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore, derisa i ka ftuar edhe partitë tjera që të heqin dorë nga bllokada institucionale.

“Ne nuk heqim dorë nga e drejta jonë kushtetuese dhe po themi se ne jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjithë ata që kanë marrë besimin qytetarë. Nuk është me rëndësi a na pëlqejnë neve a nuk na pëlqejnë neve sepse fushata zgjedhore e ka treguar se kush i pëlqen kujt. Por në fund secili njeri që ka mandat qytetar ne e respektojmë në kuptimin që e përfaqëson një grup të qytetarëve tonë. Dhe pjesa tjetër ka dallim sepse nuk po heqin dorë prej parimeve jokushtetuese”, tha Krasniqi.

Nënkryetari i PDK-së, Krasniqi ka thënë se PDK që nga paslufta është treguar parti bashkëpunuese dhe ka respektuar gjithmonë vullnetin e qytetarëve të Kosovës por edhe vendimet e organeve kushtetuese.

Top Channel