Imamët e Kosovës, 30 ditë në burg

19/09/2014 00:00

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e paraburgimit 30 ditë për 15 të arrestuar, shumica prej tyre imamë të Bashkësisë Islame, e të cilët dyshohen për terrorizëm dhe vepra tjera penale.

Imami i xhamisë së madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale: pastrim  parash dhe financim i terrorizmit, nxitje  për kryerjen e veprave terroriste si dhe për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor fetar apo etnik.

I pandehuri Bedri Robaj me aktivitet në një xhami jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame, akuzohet për rekrutim për terrorizëm dhe për nxitje të tjerëve për kryerjen e veprave terroriste.

Idriz Bilibani dhe Sabahudin Selimi akuzohen për veprat penale: nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik dhe veprën penale, rekrutimi për terrorizëm.

Të pandehurit e tjerë, Enes Goga, Mazllam Mazllami, Ekrem Avdiu dhe Enis Rama akuzohen për nxitjen e të tjerëve për kryerjen e veprave terroriste nga neni 141 i Kodit Penal të Kosovës.

Njëri nga liderët e Lëvizjes politike LISBA, Fuad Ramiqi akuzohet për veprën penale thirrje për rezistencë e cila dënohet sipas nenit 411 të Kodit Penal.

Alban Malsiu akuzohet për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rekrutim për terrorizëm dhe për nxitjen e të tjerëve për kryerjen e veprave terroriste”.

Ndërsa Dardan Gjuka akuzohet për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste. Eroll Nesimi dhe Leonard Ruli dyshohen se kanë kryer veprat penale për rekrutim për terrorizëm, nxitje për kryerjen e veprave terroriste.

Masë e paraburgimit prej 30 ditëve për 15 të pandehurit është caktuar pasi gjykata ka pranuar si të bazuara pretendimet e Prokurorisë Speciale se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase.

Në shenjë solidarizimi i me imamët e arrestuar, të premten ishte parashikuar  të mbahej një protestë në Prishtinë, por myftiu i Kosovës Naim Tërnava u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të protestojnë dhe tu besojnë organeve të drejtësisë.

Top Channel