Hyn në lojë presidentja Jahjaga

18/09/2014 00:00

Ngërçi politik i krijuar në Kuvendin e Kosovës ka shtyrë presidenten Atifete Jahjaga që të aktivizohet, duke i ftuar për konsultime të gjithë përfaqësuesit e partive parlamentare, për të gjetur një zgjidhje.

Pasdite, Jahjaga ka takuar ndarazi përfaqësuesit e PDK-së, ata të minoriteteve si dhe përfaqësuesit e koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA dhe Vetëvendosje.

Pas këtyre takimeve, presidentja Jahjaga ka thënë përmes një komunikate për media se i takoi liderët politikë me qëllim të lehtësimit të diskutimeve me forcat politike, për gatishmërinë e deputetëve të Kuvendit për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Në takim me përfaqësuesit politik, presidentja Jahjaga ka theksuar se konstituimi i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri për të çuar përpara proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Ajo ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre në zgjidhjen e çështjeve brenda Kuvendit, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Por pavarësisht këtyre takimeve, qëndrimet e blloqeve të ndara politike mbeten të palëvizshme. Pas takimit me Jahjagën, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi tha se ky takim është në kuadër të fazës së parë të bisedimeve.

“Mendoj që kjo është faza fillestare ku secili duhet të japë mendimin e vet. Pastaj është faza tjetër ku secili duhet të bëjë kompromiset e veta. Ajo çka dua të them është se PDK do të jetë konsktruktive dhe do të respektojë vullnetin e qytetarëve dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kuçi.

“Me ne jo. Qeveria gjithëpërfshirëse është kjo qeveri e cila është me neve këtu, e cila ka shumicën dhe më gjithëpërfshirëse se sa jemi ne dhe më qeveri e qëndrueshme se sa ne ofrojmë ky vend s’ka pasur pas luftës dhe ne këtë ofertë kemi”, tha në anën tjetër Isa Mustafa.

“Ne deklaruam si grup parlamentar 6+ se jemi kundër zgjedhjeve. Për ne është çdo variant i pranueshëm, përveç vajtjes sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse mendojmë se nuk do të prodhojnë diçka më shumë”, tha Mahir Yagcilar, përfaqësues i Grupit 6+.

Edhe gjatë ditëve në vazhdim pritet që presidentja të takojë liderët e partive politike për të bërë përpjekje për dalje nga bllokada institucionale.

Top Channel